ABRASHI: PROBLEMET E PRISHTINËS JANË TË ZGJIDHSHME, VETËM DUHET VULLNET

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të
Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të premten se problemet dhe
nevojat me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës, janë lehtë
të zgjidhshme, vetëm nevojitet vullnet politik të cilin e ofron
LDK-ja dhe kandidatët e saj.
“Kam dalë nëpër lagjet dhe fshatrat e Prishtinës dhe i kam parë
nevojat e tyre. Në bazë të nevojave të qytetarëve kemi krijuar
projektin për Prishtinën. Lagjet e Prishtinës kanë edhe nevoja edhe
probleme në jetën e tyre të përditshme. E mira e gjithë kësaj
është se këto probleme janë evidente dhe lehtë të zgjidhshme,
nëse ekziston vullnet, të cilin ne do ta ofrojmë”, ka thënë
Abrashi.


Ai ka shtuar se së bashku me ekipin kemi punuar në një program që
është i kapshëm, i prekshëm dhe i realizueshëm për çdo qytetarë
të Prishtinës.
“E para që do ta ndryshojmë është qasja ndaj vet Prishtinës. Ne
mendojmë që nevojitet një qasje ndryshe zhvillimore. Ne kemi
evidentuar se Prishtina ka shumë nevoja për investime të mëdha
infrastrukturore, të cilat i kemi dizajnuar dhe planifikuar, ka nevoja
të intervenimit në shumë sektorë, siç janë çështjet mjedisore,
sektori i arsimit, shëndetësisë, sektori i kulturës etj.”, ka shtuar
Abrashi.


Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se në sektorin e
arsimit nevojitet ndërtimi i shtatë shkollave, në sektorin e
shëndetësisë nevojitet që qendrat e mjekësisë familjare të
punojnë me orare të zgjatura dhe të ndërtohen edhe disa qendra të
tjera, ndërsa kemi evidentuar edhe qasje më konkrete për rininë,
duke i ofruar edhe mundësi që të krijojmë biznese “Start Up”.
“Ne kemi realizuar një plan me një numër të madh të projekteve
kapitale që prekin secilën lagje, duke filluar nga Unaza, Rruga A,
vazhdimi i Rrugës B dhe Rruga C. Ne planifikojmë që t’i fusim të
gjitha ujërat e zeza në kolektorë, duke filluar së pari me Matiqanin
dhe Emshirin”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se e dimë çka do të bëjmë edhe në fshatrat
Dabishevc, në Bardhosh, në Lebanë, në Besi, në Marec etj.
“Qasja jonë është se do të dalim të bisedojmë me qytetarë ku do
të ofrojmë oferta konkrete se si do të zgjidhen problemet e tyre në
secilën lagje dhe secilin fshat të Prishtinës”, ka përfunduar
Abrashi.