KAJTAZI: SHUMICA E KOMUNAVE PAS 22 TETORIT DO TË QEVERISEN NGA LDK-JA

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë
të hënën në një takim me kandidatet gra të LDK-së për kryetare
dhe asamble komunale se jam e bindur se shumica e komunave të Kosovës,
pas 22 tetorit do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Këtë bindje po na e forcon çdo ditë e më shumë mënyra se si
qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës po e pranojnë
alternativën qeverisëse të LDK-së”, ka thënë Kajtazi, gjatë
prezantimit të programit të LDK-së për fuqizimin e grave dhe
vajzave.

Ajo ka thënë se ashtu sikurse gratë dhe vajzat që përfaqësojnë
Lidhjen Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës dhe që kanë
përfaqësuar partinë tonë në kuvendet komunale, sigurisht edhe
gratë e vajzat që do ta përfaqësojnë LDK-në në kuvendet e
ardhshme komunale, do të jenë të vetmet që do të zgjedhen me vota
të qytetarëve, e jo mbi bazën e parimit të kuotës së përcaktuar
prej 30 për qind për gratë.
“Edhe tash, në listën e kandidatëve për kuvendet komunale, kemi
vajza e gra, të cilat jam e bindur se do të zgjedhen asambleiste me
votat që do t’i marrin vet dhe në këtë mënyrë do të jenë një
zë i fortë i përfaqësimit dhe fuqizimit të gruas kosovare në
shoqëri dhe shtet. Kandidatet e LDK-së, janë të profileve të
ndryshme, përfaqësojnë çdo cep të Kosovës dhe do të jenë
artikuluese të programit tonë për qeverisjen e komunave të Kosovës
gjatë mandatit të ardhshëm”, ka thënë ajo.
Kajtazi ka shtuar se gratë dhe vajzat në listën tonë të
kandidatëve për asambleistë, janë pjesë e një liste të fitores
së sigurt, brenda të cilës janë të gërshetuara gjenerata e
pavarësimit dhe ajo e Republikës.


“Gratë dhe vajzat janë pjesë e statistikave impresionuese të
listës sonë të kandidatëve për asambleistë. Në mënyrë të
veçantë dua ta inkurajoj kandidaturën e Hyrijete Isufi për kryetare
të komunës së  Hanit të Elezit”, ka thënë Kajtazi.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë me këtë rast se është
vërtetuar se lidershipi i grave është më i suksesshëm, është më
demokratik, është më pak i korruptuar dhe është më efektiv.
“Në mënyrë shkencore është vërtetuar se korrupsioni te gratë
është shumë më pak prezentë, sjellja demokratike është shumë më
e madhe, kultura e komunikimit është më e madhe”, ka thënë Mustafa.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK si parti e
qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive
Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas,
që gruaja të vendos për procese të rëndësishme në shoqëri dhe
të jetë vendimmarrëse.


“Të gjitha analizat politike dhe shkencore thonë se shoqëritë që
avancojnë gruan janë më të zhvilluara. Teoritë ekonomike kanë
treguar se vendet e zhvilluara janë të tilla duke iu falënderuar
rolit të madh të grave në ekonomi. Gratë dhe vajzat tona e kanë
arsyetuar besimin e qytetarëve me punë. Shembuj të tillë kemi plot.
Pa modesti e them që qytetarët e Kosovës, gratë e vajzat punëtore
dhe të përkushtuara mund t’i gjejnë vetëm në listën tonë”, ka
thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar se jemi kujdesur që edhe në programin tonë qeverisës
të parashohim fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe shtetin
tonë.


“Qeveritë komunale të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës,
jam e bindur se do të angazhohen veçanërisht për zbatimin e ligjit
për barazi gjinore dhe ligjeve të tjera që përkrahin pozitën më
të mirë të gruas në shoqëri. Buxhetimi gjinor në komunat e
udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të sjellë gjithashtu
një mundësi më të madhe për zhvillimin dhe avancimin e pozitës së
gruas në shoqërinë tonë”, ka thënë Bajrami.