Ermeni: LDK-ja është zgjidhja e vetme për Gjakovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim elektoral në Gjakovë, të cilin e hapi kryetari i degës së kësaj partie, Luan Gola. Ai ka ftuar qytetarët e kësaj komune që masivisht ta votojnë LDK-në dhe kandidatin e saj për kryetar, Bekim Ermenin.

“Gjakova kësaj radhe duhet ta japë një mendim më ndryshe, të forcojë strukturat tona, të përkrahë në mënyrë shumë më dinjitoze kandidatin tonë, Bekim Ermenin dhe kandidatët tanë për asambleistë. Gjatë mandatit të kaluar ne kemi qenë në koalicion dhe dy drejtoritë që janë udhëhequr nga LDK-ja kanë qenë shmbull për të mirë, prandaj duhet të bisedojmë me secilin qytetar dhe të mobilizohemi për fitoren tonë më 22 tetor”, ka thënë Gola, duke shtuar se program i Ermenit është më i miri për Gjakovën.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i kënaqur me përkrahjen dhe kulturën elektorale të anëtarësisë së LDK-së.

“Bekim Ermeni është zgjidhja më e mirë për Gjakovën dhe njerëzit e tillë duhet të përkrahen. Gjatë qeverisjes sonë në nivelin qendror jemi përpjekur të përkrahim Gjakovën, sepse kemi konsideruar se ka mbetur prapa qoftë në projektin e rrugëve, qoftë atë të ngrohjes, por edhe për aeroportin e Gjakovës. As niveli qendror dhe as ai lokal nuk e ka asnjë kuptim nëse ne nuk punojmë për të rinjtë tanë, të cilët sot po i shoh këtu në numër mjaft të madh”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se janë edhe shumë projekte tjera, të cilat duhet të përkrahen si nga qeveria qendrore, ashtu edhe ajo lokale. Mustafa ka theksuar se Qeveria e tij është dëshmuar gjatë udhëheqjes në nivelin qendror dhe kjo është karakteristikë e

LDK-së pa marrë parasysh për cilin nivel qeverisës është fjala. “Prandaj, u them se kandidati juaj për kryetar dhe ata për asmableistë janë njerëzit e duhur për të udhëhequr komunën tuaj”, ka thënë Mustafa në fund.

Pas tij fjalën e ka marrë kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës, Bekim Ermeni, i cili përveç tjerash tha: “Platforma jonë ekonomike lokale është përgatitur nga një grup ekspertësh, të LDK-së në Gjakovë, por edhe ata më të mirët në vends, siç janë z. Mustafa, z. Hoti, z. Abdigjiku e shumë të tjerë. Shtylla e parë e platformës sonë është zhvillimi ekonomik. Platforma e LDK-së për këtë segment është përqafuar me të madhe si në komunat tjera, ashtu edhe në Gjakovë. Bujqësia dhe zhvillimi rural, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, kultura, rinia e sporti dhe administrata efikase, e cila i përmbledh të gjitha”, janë shtyllat e zhvillimit të komunës sonë“.

Ai i ka elaboruar të gjitha pikat e platformës qeverisëse, duke u zotuar se ato janë premtime që do të realizohen. Ermeni ka premtuar se paraja publike do të shkojë vetëm për projektet profesionale. Kandidati i LDK-së për kryetar ka shtuar se kujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe diasporës, për të cilën do të krijohen lehtësira të mëdha, duke marrë parasysh mundësinë e saj për të ndikuar në zhvillimin e komunës. Ermeni ka theksuar se është i domosdoshëm edhe përgatitja e një stadiumi (minimalisht të kategorisë së katërt), të pranuar nga UEFA me së paku 5000 ulëse. pasi KF Vëllaznimi, që është krenaria e Gjakovës nuk guxon të mbetet të kushte të tilla çfarë është tani. Kur bëhet fjalë për sportin, Ermeni ka thënë se do të rritet për 30 për qind subvencionimi i klubeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *