LDK kërkon nga organet e drejtësisë që të luftojnë lajmet e rrejshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i bën thirrje policisë dhe organeve të drejtësisë që të hetojnë dhe ndalojnë urgjentisht shpërndarjen e lajmeve të rrejshme (fake news), nëpërmes të cilave po synohet që të dëmtohet LDK, kandidatët për kryetarë të komunave dhe kandidatët për asamble komunale.

Këto lajme të rrejshme, shumica të vjetra, po sponsorizohen në Google dhe po shpërndahen në internet, me qëllim që të dëmtojnë imazhin e kandidatëve tanë të cilët po prijnë në sondazhe në shumicën e komunave të Kosovës.

Monitoruesit e LDK-së kanë evidentuar me dhjetëra lajme të rrejshme në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa ditët e fundit janë shpeshtuar lajmet e rrejshme kundër kryetarit të Podujevës, z. Agim Veliu, i cili po gëzon mbështetje, më shumë se asnjëherë më parë, për tu rizgjedhur në krye të komunës. Lajme të vjetra me vite dhe disa të shkruar rishtazi nga oponentët tanë politikë, që kritikojnë z.Veliu, po sponsorizohen në Google gjoja si lajme të reja, me qëllim të dëmtimit të kandidaturës së tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës i fton anëtarësinë e vet dhe gjithë qytetarët që të mos bien pre e këtyre lajmeve të rrejshme, sepse askush më mirë se llapjanët nuk i njeh kandidatët për kryetar komune.

Oponentët e Degës së LDK-së në Podujevë, në mungesë të kandidaturave serioze dhe në mungesë të programit, kanë gjetur armën e vetme të tyre “gënjeshtrën dhe manipulimin”. Kësaj valleje të lajmeve të rreme ju ka bashkuar kohët e fundit edhe portali i Vetëvendosjes llapi.info.

LDK i fton oponentët e saj politik, Vetëvendosjen dhe PDK-në që të heqin dorë nga lajmet e rreme dhe të ballafaqohen me oferta dhe projekte konkrete për qytetarët.

LDK i bën thirrje Prokurorisë dhe Departamentit të Policisë për luftimin e krimeve kibernetike, që të jenë në nivelin e detyrës dhe t’i ndalojnë fenomenet që dëmtojnë procesin zgjedhor dhe demokratik.

Lidhja Demokratike ju bën thirrje edhe monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe prezencës diplomatike që të përdorin ndikimin e tyre ndaj Vetëvendosjes dhe PDK-në, të cilat nga paniku i humbjes së zgjedhjeve po përdorin metoda jodemokratike për të dëmtuar kandidatët tanë.

Kandidatët e LDK-së për kryetarë të komunave dhe kandidatët për asamble komunale janë figura me duar të pastra dhe profesionale, shumë përpara oponentëve tanë politikë dhe kjo është arsyeja e përkrahjes së fuqishme qytetare.

LDK ju bën thirrje anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve që të jenë edhe më unik rreth Platformës tonë për Qeverisje Lokale, e cila është programi i vetëm konkret në këto zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *