Mustafa: Gremja shembull se si punohet prandaj meriton një kryetar komune si Sfarqa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Greme të Ferizaj, se ky fshat është shembull se si punohet ndershëm, prandaj meriton një kryetar komune sikur Muharrem Sfarqa, i cili punon me vizion dhe transparencë për interesa të qytetarëve.

“Ju jeni shembull i mrekullueshëm për të dëshmuar se si punohet ndershëm”, ka thënë Mustafa. Në mesin e sukseseve më të mëdha është veçuar ndërtimi i spitalit, por edhe shumë investime tjera. “Kryetari aktual ka punuar shumë, prandaj ne duhet ta shpërblejmë me votë. Nuk konsideroj se duhet të kemi konkurrencë në Ferizaj. Ne njihemi mirë qe 18 vjet, kemi provuar edhe qeverisje tjera, por Ferizaj nuk duket mirë përveçse me LDK-në në udhëheqje, e Gremja aq më pak”, është shprehur kreu i LDK-së, duke shtuar se në zyrën e tij të kryeministrit ka pasur mobile të prodhuar në Greme, me të cilat është mburrur edhe para delegacioneve më prestigjioze.

“Kush i përkrah këto biznese përveç nesh? Ne jemi e vetmja parti e qendrës së djathtë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, parti që determinon vendime të mëdha. Të tjerët mund t’ua rrisin tatimet, ne i përkrahim bizneset. Duhet ta rrisim eksportin, sepse prodhimet tuaja po rriten, për këtë do ta keni përkrahjen e kryetarit dhe të të gjithë neve”, ka shtuar Mustafa, duke shprehur bindjen se Sfarqa sërish do të jetë kryetar i Ferizajt.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka thënë se kemi investuar mbi 400 mijë euro për asfaltimin e rrugicave, si dhe për rrjetin e ujësjellësit, dhe ne presim që këto ditë të kemi festë të madhe në inaugurimin e tij, sepse Gremja asnjëherë nuk ka përjetuar kaq shumë investime sado që i ka merituar.

Ai ka premtuar se do të shikohen mundësitë për dhënien e pronës publike në shërbim, pasi deri tani janë dhënë 20 hektarë, por nga e cila janë investuar mbi 10 milionë euro, ndërsa kanë gjetur punë rreth 950 qytetarë.

Sfarqa ka theksuar se kjo do të ndodhë ekskluzivisht me bizneset që kanë të bëjnë me përpunimin e drurit. “Sukseset e deritashme janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me banorët e Gremes, por edhe me ata të fshatrave tjera. Dëshiroj t’u përgëzoj për gjithçka që po bëni për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa jam i bindur se vota juaj do të shkojë aty ku është zgjidhja më e mirë dhe ajo është LDK-ja”, është shprehur kryetari aktual i Ferizajt, i cili ka vlerësuar lart listën e kandidatëve për asambleistë, në mesin e të cilëve ka njerëz me nivelin më të lartë të arsimimit, pastaj të shkolluar më Amerikë, gjeneralë të luftës, bartës të luftës së UÇK-së, mjekë, sportistë e të tjerë.

Sfarqa është zotuar se edhe në mandatin e ri do të punojë me përkushtimin më të madh për të mirën e qytetit të Ferizajt.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdigjiku, ka thënë se krahasimi ndërmjet LDK-së dhe të tjerave është i thjeshtë. “Në njërën anë i keni ata punojnë nën hije dhe se në dritë i qesin disa kukulla. Ferizaj këtë e di më mirë se çdo qytet. Ferizaj nuk ka nevojë për kukulla. Në anën tjetër janë ata që provojnë eksperimente, ia nisin me eksperimentin e Republikës së tretë e të katërt, e deri te propaganda e bërjes politikë me fjalë të thata, ndërsa eksperimenti i tyre në Ferizaj është një njeri turist. Unë po ju them që Ferizaj nuk ka nevojë as për turistë e as për kukulla, por e ka kryetarin e duhur dhe duhet t’ia vazhdojë mandatin edhe për katër vjet”, është shprehur Abdigjiku.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka treguar një ndodhi që e ka pasur në Prizren. “Derisa po ecja nëpër qytet u ndala në tre-katër vende dhe po pyesja ku janë prodhuar këto mobile. Përgjigjja ishte e njëjtë, në Greme dhe unë fillova të dyshoj mos po tallen me mua. Por tani jam bindur se këtu ka njerëz të mirë e të mëdhenj, ashtu sikur ndërmarrës të mirë, të cilët nuk i mbështet askush më mirë se LDK-ja. Ju e mbani mend Xhabir Zharkun, i cili e bëri një krim dhe iku, sepse kishte një atdhe të dytë, këto ditë po e shihni një rast tjetër, tani te Vetëvendosja, Sadri Ramabaja. Edhe ai u përpoq të ikë, ndërsa kryetari juaj e lë luksin gjerman dhe vjen e merret me kanalizimet e Talinocit e Gremes. Njerëzit e LDK-së nuk ikin, nuk bëjnë krime, por rrinë e kthehen në atdheun e tyre”, ka thënë Selmanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *