Tahiri shpalosi projektin për Sheshin “Kolonel Ahmet Krasniqi” në Vushtrri

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka shpalosur të premten projektin për Sheshin “Kolonel Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, në prani të familjarëve të Kolonel Ahmet Krasniqi, themeluesve të degës, Hajzer Krasniqi dhe Ibush Jonuzit, kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri, Hysni Gërguri dhe shumë personaliteteve nga Vushtrria.

“Sot jemi këtu në këtë shesh i cili në planin tonë të qeverisjes së re të LDK-së për komunën e Vushtrrisë do ta shpallim sheshi ‘Kolonel Ahmet Krasniqi’. E gjithë Vushtrria, e gjithë Kosova dhe e gjithë shqiptaria është krenar me punën, veprën dhe trashëgiminë që na ka lënë koloneli Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës i emëruar nga presidenti Rugova”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se Vushtrria do ta nderojë këtë burrë të madh të kombit me një shesh, një shtatore dhe sigurisht, në bashkëpunim me familjen, do të punojmë që të sjellim edhe eshtrat e kolonelit në Vushtrri.

“Sheshi do të jetë pjesë e Qendrës Historike të Vushtrrisë, bashkë me sheshin ‘Hasan Prishtina’, ndërkohë që rruga kryesore e tij do të mbajë emrin e Presidentit historik ‘Ibrahim Rugova’”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se komuna do të kryejë të gjitha investimet e nevojshme infrastrukturore në mënyrë që ky shesh, të bëhet pikëtakim, jo vetëm i banorëve të Vushtrrisë, por e të gjithë atyre që e vizitojnë këtë komunë.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se momentet më të veçanta të jetës së tij janë ato kur ka shërbyer nën urdhrat e Kolonel Ahmet Krasniqit dhe tash kur po e riaktualizojnë personalitetin e tij.

“Emri juaj (Xhafer Tahiri) ka kuptimin dhe përgjegjësi dhe unë besoj që ju do të jeni përgjegjës para zotimit që dhatë para aktivistëve të LDK-së, para qytetarëve, para familjarëve. Ky shesh në të ardhmen do të emërtohet me emrin e kolonelit Ahmet Krasniqi, e po ashtu emri Ahmet e ka kuptimin i çmuar. Dhe besoj që do të jetë një ndër vendet më të çmuara këtu në qytetin e Vushtrrisë, jo vetëm për qytetarët e Vushtrrisë por për të gjithë qytetarët e Kosovës, kur e kemi parasysh personalitetin dhe figurën e kolonelit Krasniqi”, tha Quni.