Hoti: LDK-ja alternativa e vetme, Kryeziu kryetari i ri i Rahovecit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në tubimin e LDK-së në Xërxë të Rahovecit e ka shprehur bindjen se LDK-ja dhe kandidati i saj Ibrahim Kryeziu, do të dalin fituese në zgjedhjet e 22 tetorit në Rahovec.

Hoti ka thënë se program i LDK-së është bindshëm më i miri dhe alternativa e vetme për vendin tonë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka falënderuar në veçanti bashkatdhetarët që morën pjesë në tubim, por edhe ata që nuk ishin të pranishëm, duke theksuar kontributi i tyre është shumë i madh.

Mustafa ka shtuar se në këtë pjesë të vendit ishte edhe gjatë fushatës për zgjedhjet qendrore, kur Avdullah Hoti ishte kandidat për kryeministër.

“Profesor Hoti vërtet e meriton të jetë kryeministër i Kosovës, sepse vendi ka nevojë për një kryeministër të tillë, ashtu siç ka Rahoveci nevojë për një njeri të mrekullueshëm, profesionist i fushës së tij, njeri që e njeh shumë mirë Rahovecin, pra për Ibrahim Kryeziun”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se në bazë të informatave nga tereni, LDK-ja do të jetë bindshëm e para.

“E kemi provuar qeverisjen e PDK-së dhe AAK-së këtu, por ata nuk dinë të qeverisin për qytetarët, ata qeverisin për interesa të veta, e kanë kapur shtetin dhe ne duhet ta ç’kapim, duhet të krijojmë kushte që demokracia të veprojë në këtë vend, e kemi detyrë para fëmijëve tanë demokratizimin dhe kjo nuk mund të ndodhë pa qeverisjen e LDK-së“, ka theksuar Mustafa. Ai ka kërkuar të votohet masivisht, sepse vetëm me votë arrihet ndryshimi që është aq i nevojshëm për Rahovecin dhe Kosovën.

“LDK-ja nuk e dëshiron me çdo kusht pushtetin, nuk e kemi dashur as në nivelin qendror. Personalisht po e kam shumë më lehtë tani kur nuk jam kryeministër, pork jo nuk do të thotë se do të lëshojmë pe para banditëve, hajnave e kriminelëve, sepse ne si LDK e kemi një ideal më të lartë për vendin se sa për interesa personale”, është shprehur Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Rahovecit, Ibrahim Kryeziu, pasi i ka falënderuar zyrtarët, aktivistët dhe simpatizantët e LDK-së, mysafirët nga diaspora, veteranët e luftës dhe gjithë të pranishmit, e ka shprehur bindjen se LDK-ja do të arrijë fitore të madhe më 22 tetor.

“Rahoveci meriton një qeverisje të përgjegjshme, e cila do të jetë në partneritet me qyetarin, në bashkëpunim me bizneset, me bujqit, rininë dhe të gjitha grupet e interest”, ka thënë Kryeziu.

Ai e ka shpalosur programin qeverisës, duke filluar nga krijimi i zonës industriale në fshatin Opterushë, pastaj inkubatorin e biznesit, punësimi i të rinjve në punë provuese me pagesë, rritja e shërbimeve shëndetësore, aktivizimi i ekipit mobil për ata që nuk mund të shkojnë deri te ambulanta, përkujdesja për objektet publike, ndërtimi i shkollës së re në Xërxë, stadiumi i ri, rritja e subvencionimeve për sport dhe premtime tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Rahovecit. Kryeziu ka theksuar se vend të rëndësishëm në programin e tij kanë edhe bujqësia dhe arsimi.

“Në bujqësi do të investojmë shumë, ashtu sikur edhe në arsim, ku do të sigurojmë laboratore të fizikës, kimisë e biologjisë, kabinete të informatikës, do të instalohen ngrohjet qendrore në çdo shkollë, do të rritet cilësia në arsim, do të ketë menaxhim më të mirë, me drejtorë profesionistë dhe bashkëpunim me këshillat e prindërve”, ka premtuar Kryeziu, duke shtuar se Rahoveci do ta ketë edhe sheshin, konform traditës së tij, si njëri nga qytetet më të vjetra.