Abrashi në Mati I: Asnjë investim s’erdhi për 4 vjet, projektet mbetën ku i la LDK-ja

Kandidati për kryetar të komunës nga LDK-ja, Arban Abrashi, në një tubim të mbajtur të martën me qytetarë, ka shpalosur programin e tij për lagjen “Mati 1” dhe njëkohësisht ka shprehur shqetësimin se si për katër vite komuna nuk ka investuar asgjë për këtë lokalitet, ndërsa projektet mbetën në gjysmë aty ku i la LDK-ja më 2013.

“Aty ku i la punimet LDK-ja, aty kishin mbetur. Vetëm LDK është ajo që bën projekte madhore dhe për tu përfunduar punimet ne Rrugën B, për të filluar punimet në rrugën A, për tu mbyllur përroi në Lagjen Mati 1, për tu ndërtuar shkolla dhe çerdhe ne duhet t’i dërgojmë dembelët në shtëpi”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se me një program real me një ekip të ri dhe vizion të ri për projekte madhore ju ftoj ta votoni numrin 47 dhe t’iu jepni mbështetje asambleistëve tanë, pasi që vetëm LDK sjell projekte madhore.

“Projektet zhvillimore për kryeqytetin, do të implementohen nga komuna ose përmes formave të partneritetit publik-privat në katër vitet e qeverisjes nga LDK. Projektet zhvillimore, idetë e reja dhe planet e reja do të ndërtohen dhe implementohen me ekipe të reja, me dije dhe përvoja bashkëkohore. Ky do të jetë orientimi themelor i LDK-së”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se Parkingjet nëntokësore do të realizohen në disa lokacione në qytet, në konsultim të ngushtë me qytetarët e atyre lagjeve.

“Për interesin e Prishtinës dhe qytetarëve të saj dhe për të gjetur zgjidhje, unë do të bashkëpunoj me të gjithë. Unë dhe ekipi im do të aplikojmë qasje proaktive, pa zhurmë, pa demagogji e pa propagandë. Unë do ta mbajë fjalën: Për krijimin e Fondit të Punësimit, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë dhe do të krijohen 30 mijë vende pune për prishtinas”, ka theksuar Abrashi.

Ai tha se për 4 vjet qeverisje do të realizojmë mbi 320 projekte, do ta zbresim tatimin në pronë, do ta zgjidhim problemin e furnizimit me ujë për të gjithë qytetarët e Prishtinës, do ta zgjerojmë ngrohjen qendrore në tërë Prishtinën, do të ndërtojmë 7 shkolla të reja, përfshirë edhe Shkollën e Muzikës, do ta jetësojmë mësimin gjithëditor dhe do ta mbështesim rritjen e cilësisë së arsimit.

“Do të ndërtojmë çerdhe të reja, jo për t’ua lënë nën menaxhim asambleistëve, por për t’ua mundësuar grave të vazhdojnë karrierën e tyre dhe qytetarinë aktive. Do të ndërtojmë ambiente qëndrimi të përhershëm, por edhe qëndrimi ditor për moshat e treta, që gjyshërit tanë të kenë hapësira ku ta kalojnë pleqërinë”, tha Abrashi.