Mustafa: Qytetarët të dalin në zgjedhje dhe ta forcojnë demokracinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka votuar të dielën në Shkollën “Emin Duraku”, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në zgjedhje, ta forcojnë pushtetin lokal dhe ta forcojnë demokracinë.

“Sot është një ditë mjaft e rëndësishme për Kosovën. Është një ditë ku qytetarët vendosin për qeverisjen lokale, për kryetarë të komunave edhe për këshilltarë të kuvendeve komunale. Besoj që qytetarët do të zgjedhin më të mirët, për ta forcuar qeverisjen lokale dhe për ta forcuar demokracinë”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së pohoi se është në vullnetin e qytetarëve që me votën e tyre ata t’i ndihmojnë demokratizimit të vendit dhe zhvillimit të tij.

“Uroj që gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë, ta japin votën e tyre për ata që qytetarët mendojnë se e meritojnë”, tha në fundit kreu i LDK-së.