U mbajt Akademi Përkujtimore për ish-anëtarin e Kryesisë së Degës së LDK-së në Skenderaj, Haki Imerin

Nën patronatin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Isa Mustafa, është mbajtur Akademi Përkujtimore për Haki Imerin.

Të pranishëm ishin familjarë të Haki Imerit, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, kryetarë të degëve, përfaqësues të strukturave të LDK-së dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Në emër të LDK-së, të pranishmëve i’u drejtua nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri.

Haziri tha se Hakiu deri në vdekjen e tij nuk pushoi së punuari për familjen, LDK-në dhe vendin.

“Padrejtësisht është kidnapuar, torturuar dhe ekzekutuar ish veprimtari i LDK-së, Haki Imeri, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, duke theksuar kështu punën e tij në demaskimin e propagandës serbe anti-shqiptare duke komunikuar drejtpërdrejt me mediat e huja”, tha ndër të tjerash z. Haziri.

Haziri theksoi se do të kujtohen gjithmonë të gjithë veprimtarët e LDK-së të cilët i kontribuan çështjes kombëtare dhe poashtu ai tha se do t’u bëhet thirrje të gjitha institucioneve që të zbardhen të gjitha rastet.

Në emër të familjes Imeri foli edhe djali i Hakiut, i cili u bëri thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe lokale që të dorasit të dalin para ligjit.

Hakiu dha kontribut të veçantë në shtyllën e arsimit shqip dhe në pajtimin e gjaqeve bashkë me shumë intelektualë, ndër ta Anton Qetën dhe Idriz Rrecin.