28 vjet LDK në Vushtrri

Fjalimi i nënkryetarit të LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu me rastin e 28 vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Vushtrri

 

Të nderuar anëtarë dhe veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

I nderuari kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri z. Hysni Gërguri,

I nderuari kryetar i Komunës, z. Xhafer Tahiri,

Të nderuar anëtarë të kryesisë dhe deputet të LDK-së,

Të respektuar anëtarë të strukturave të Degës së LDK-së në Vushtrri;

Më lejoni që t’ju përshëndes në emër të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Isa Mustafa, i cili për arsye shëndetësore po qëndron jashtë vendit, por që së shpejti do të kthehet dhe na bashkohet në punët dhe angazhimet tona të përbashkëta.

Përvjetorët, si ky i sotmi, janë momente solemne ku përkujtojmë një ngjarje me rëndësi në jetën tonë, kur me përulje e pietet përkujtojmë sakrificën, apo me krenari e gëzim celebrojmë të arriturat.

Prandaj, jam këtu me ndjenjën e respektit për të gjithë ata burra e gra që u angazhuan dhe morën guximin, në kohë dhe rrethana të vështira, që të jenë ndër të parët, që vunë bazat e një lëvizjeje gjithëpopullore, e cila kishte në krye liderin dhe prijësin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.

Përvjetorin e 28-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri po e festojmë si triumfalistë sepse LDK ka rikthyer besimin e qytetarëve për të qeverisur me qytetin, si rezultat i një pune të madhe që është bërë me degën e Vushtrrisë, me kryetarin Hysni Gërguri, merita ka edhe kryetari i porsazgjedhur i Komunës, z. Xhafer Tahiri.

Por, para së gjithash, përvjetorët janë momente reflektimi, për të bërë një bilanc;

Ku jemi ne sot, si parti dhe ku jemi ne sot si shoqëri, si shtet. Ku jemi ne sot, 28 vjet pas themelimit të LDK-së, si organizimi i parë serioz politik i shqipëtarëve të Kosovës, një lëvizje e pastër gjithëpopullore, me një program të qartë nacional, për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës.

LDK në këtë përvjetor është rikthyer si partia e parë në vend pas Zgjedhjeve Lokale, ne udhëheqim me numrin më të madh të komunave, kemi numrin më të madh të këshilltarëve në kuvendet komunale dhe kemi marrë numrin më të madh të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa si shtet, si shoqëri, gjindemi para sfidave të reja dhe ato përveç se janë të shtumta, janë edhe serioze.

Të nderuar anëtarë e veprimtarë të LDK-së,

Sfidat e Kosovës, janë sfidat tona. LDK-ja nuk guxon asnjëherë të mendojë se përderisa nuk jemi në pushtet, mund të jemi të qetë, ose edhe më keq, të gëzohemi e të shpresojmë për dështimin e kundërshtarëve politikë sepse kështu na lehtësohet rruga drejt pushtetit.

Kur LDK-ja u themelua më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e kohës, në krye me Ibrahim Rugovën, nuk ishte synim pushteti. Ata kishin synim lirinë e shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës dhe demokracinë për shoqërinë tonë.

Prandaj, ne në asnjë moment nuk duhet ta heqim përqëndrimin tonë nga këto synime, sepse liria, pavarësia dhe demokracia nuk janë standard që arrihen njëherë e përgjithmonë, por janë synime që avancohen dhe zhvillohen vazhdimisht.

Ne sot kemi shtetin tonë të pavarur, por kjo pavarësi, a është e sigurt, a është e garantuar? Dhe çfarë po bëjmë ne, për ta garantuar?

Kosova është një shtet i ri, i krijuar me sakrificën shekullore të popullit, që kulmoi me rezistencën aktive paqësore të fundshekullit 20, të prirë nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe lufta çlirimtare e shumë gjeneratave.

Mbi të gjitha, dhe këtë nuk mund ta harrojmë, ne jemi sot shtet për shkak të aleancës historike që populli shqiptar krijoi me shtetet përendimore europiane, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, 19 vjet pas çlirimit, disa të paditur, që nuk bëjnë nga mosdija, por nga frika se do të përballen me veprat e tyre, kanë filluar të rrëmojnë këtë aleancë historike me SHBA-të dhe shtetet europiane mike, me shpresë se do të shpëtojnë lëkurën e tyre.

Duke shpresuar se do të shpëtojnë veten, rrezikojnë Kosovën. Ne duhet t’u themi jo, duhet t’u themi jo atyre që kanë kryer krime, atyre që kanë kryer vrasjet politike të pasluftës. Kush ka bërë krime, le të përgjigjet për to. Kosova nuk ju ka asnjë borxh!

Prandaj, ne duhet të respektojmë zotimet tona ndërkombëtare, si shtet i pavarur që jemi, jo vetëm për të dëshmuar seriozitetin tonë si shoqëri, por edhe për të dëshmuar pastërtinë tonë.

Zonja dhe zotrinjë,

Drejtësia është universale, pa marrë parasysh ngjyrën, racën, fenë  përkatësinë nacionale. Ne duhet të ngritemi mbi veset tona primitive nëse duam të jemi pjesë e familjes europiane dhe vlerave universale njerëzore.

Sepse demokracia nuk është vetëm zgjedhje të lira, demokracia e vërtetë nënkupton që qytetari është i lirë për të debatuar, për t’u bashkuar, për t’u angazhuar e luftuar për qëllime që mendon se janë të mira për të dhe shoqërinë.

Kjo liri duhet të jetë universale dhe qytetari nuk duhet të jetoj me frikë.

Kjo mund të bëhet përmes fuqizimit të sundimit të ligjit, përmes fuqizimit të sistemit gjyqësor, prokurorisë e policië, fuqizimit në mënyrë që ato të pavarësohen nga pushteti, që ato të mos përdoren nga politika por, të kenë edhe pavarësi institucionale edhe resurse njerëzore e mjete financiare për të ndjekur, burgosur e gjykuar.

Sepse, shteti i së drejtës është ai ku sundon ligji, e ku kryeministri, presidenti, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Komunës, komandanti i luftës dhe profesori i Universitetit i nënshtrohen ligjit, ashtu siq i nënshtrohet çdo qytetar i Republikës së Kosovës.

Në Republikën e Kosovës të qeverisur nga LDK-ja, qytetarë e pushtetarë do të jenë të barabartë para ligjit, jo mbi të.

Ne, jemi bindur që LDK bashkë me qytetarët do t’i tejkaloj këto vështirësi falë trashëgimisë dhe përvojës së gjatë të funksionimit dhe qeverisjes, shembëlltyrës dhe modelit të Presidentit dhe arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës, Presidentit Historik Ibrahim Rugova.

Të dashur veprimtarë,

Zonja dhe zotrinjë,

Po e mbyllë këtë fjalë me bindjen e palëkundur dhe përkushtimin për shtetin, vlerat e lirisë dhe demokracië këtu, në Republikën e Kosovës.

Urime 28 vjetori i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri!

Ju faleminderit,

Zoti e bekoftë Lidhjen tonë!

 

LDK – Zyra për Informim

 

Gjeni të bashkangjitur në link një përmbledhje të përvjetorit të LDK-së në Vushtrri:

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *