Akademi Përkujtimore në 12-të vjetorin e vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Fjalimi i nënkryetarit të LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së Presidentit Rugova

Prishtinë, 21 janar 2018

 

E nderuara Familje Rugova,

Të nderuara struktura të të gjitha niveleve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Të nderuar qytetarë,

 

Në emër të LDK-së dhe kryetarit të saj, Akademik Isa Mustafa, Ju falënderoj të gjithëve që jeni mbledhur në këtë sallë për të kujtuar dhe respektuar figurën e Presidentit tonë historik Ibrahim Rugova.

Janari i vitit 2006 është muaji kur populli shqiptar, Kosova dhe LDK-ja mbeti pa udhëheqësin, liderin vizionar dhe personalitetin frymëzues të një rruge të gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Gjatë jetës së tij, Rugova na udhëhoqi me standardet më të larta në politikë, u bë mik i shquar i botës demokratike, ishte krijues kulminant dhe njeri shembullor.

Në memoaret e tij, senatori amerikan Bob Doll thoshte se “Ashtu si Presidenti Amerikan Abraham Lincoln, Presidenti Rugova është bërë njeri i epokave”.

Rugova ishte dhe mbetet për gjeneratat të tëra “Njeri i Epokave”.

Për gati dy dekada, Rugova ishte artikuluesi më i mirë në gjithë botën, kundër padrejtësive që ju bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë në veçanti. Politika e tij vizionare properëndimore krijoi lidhje të përjetshme të Kosovës dhe popullit të saj me Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë euroatlantik. Këto lidhje me aleatët tanë ekziston edhe sot, ndonëse ka tendenca të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit për ta cenuar këtë aleancë historike.

Bota demokratike e ka çmuar rezistencën që drejtoi Rugova kundër aparteidit serb dhe për këtë është shpërblyer me çmimet më të larta ndërkombëtare. Rugova ishte udhëheqësi i parë shqiptar i Kosovës që depërtoi në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare për të lobuar dhe krijuar miqësi me aleatët, për ta shpëtuar popullin e tij.

Këto dyer të hapura për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk do të mund t’i mbyllë askush.

Nën drejtimin e Presidenti tonë historik, Kosova me ndihmën e aleatëve dhe luftën gjithëpopullore u çlirua, u rindërtua pas luftës, ndërtoi institucionet dhe krijoi parakushtet për shpalljen e pavarësisë.

Si rëndom në histori, burrështetasit e mëdhenj nuk jetojnë gjatë dhe shpesh nuk i jetësojnë frutet e punës së tyre. Ashtu edhe Presidenti ynë, na la 12 vjet më parë. Ai i la Kosovës trashëgimi një jetë të tërë të krijimtarisë letrare, veprimtari politike dhe atdhetare. Më e rëndësishmja që i la Kosovës trashëgimi janë aleancat e fuqishme dhe të përjetshme me miqtë tanë euroatlantik.

Kultura demokratike që kultivoi ai në Kosovë, është model i përmasave globale. Diskursi i tij politik ishte pozitiv, afirmativ, demokratik dhe largpamës. Ai nuk merrej me kritika dhe gjëra të vogla, sepse përqendrimin e kishte në punë të mëdha.

Presidenti ynë është nga të rralla personalitete politike të cilin e çmojnë të gjithë, pa përjashtim ideologjik, politik, religjioz dhe etnik.

Bota demokratike e ka personifikuar Kosovës për gati dy dekada me këtë burrështetas, që i dha shumë Kosovës dhe nuk i mori asgjë.

Në kohën e sotme Kosova ka shumë nevojë që të mësojë nga përvoja politike e Presidentit Historik, i cili gjithmonë i vendoste interesat e popullit dhe shtetit në rend të parë, për dallim nga këta të sotmit që po rrezikojnë shtetin dhe aleancat strategjike për interesa të tyre personale.

Përkundër tendencave të ulëta, Kosova dhe LDK-ja si partia më e madhe në vend, asnjëherë nuk do të lejojnë që miqësitë e krijuara për dekada nga populli i Kosovës dhe presidenti historik, të rrezikohen nga njerëz të papërgjegjshëm për shtetin dhe të ardhmen e tij.

Shteti i Kosovës është më i rëndësishëm se secili prej nesh, pavarësisht se çfarë pozite mban. Këtë shtet e kanë krijuar gjenerata të tëra dijetarësh dhe veprimtarësh dhe nuk mund ta nëpërkëmbim disa politikanë që njohin vetëm interesa personale, pavarësisht kostos që bartin qytetarët e vendit.

Sot Kosova është më e izoluar ndërkombëtarisht, sesa në vitet e 90-ta kur Rugova vepronte nën regjimin e aparteidit. Dyert e aleatëve tanë janë mbyllur, për shkak të politikanëve joseriozë dhe kauzave të rrejshme të tyre, të cilët qëllimin e vetëm e kishin ardhjen në pushtet. “Thika pas shpine” për aleatët amerikanë dhe evropianë, është “thikë pas shpine” për të ardhmen e fëmijëve tanë, për denigrimin e shtetit dhe për vazhdimin e abuzimit me pasuritë publike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Mënyra se si qeveriset dhe drejtohet Kosova sot, nuk është rruga që na ka mësuar Presidenti Rugova. Është pikërisht e kundërta e saj.

Kosova do të zhvillohet ekonomikisht, do të rritet standardi jetësor, do të forcohet sovraniteti, do të kthehet perspektiva, vetëm nëpërmes aleancës së ngushtë me partnerët tanë perëndimorë. Çdo tendencë për të devijuar nga kjo rrugë na shpie në qorrsokak.

Qeveria e Kosovës vetëm për dy vite është drejtuar nga LDK-ja dhe kryetari i saj akademik Isa Mustafa. Gjatë qeverisë Mustafa, për dy vite, qytetarët e Kosovës e kanë parë modelin qeverisës të LDK-së dhe ata sot po e bëjnë dallimin me këtë qeveri të papërgjegjshme.

Gjatë qeverisjes Mustafa të gjitha raportet ndërkombëtare ishin pozitive për Kosovën, kishte kujdes ndaj parasë publike, u krijuan 40 mijë vende të reja të punës, ekonomia u rrit mbi 4 %, u rritën të hyrat në buxhet mbi 400 milionë euro si rezultat i luftimit të krimit dhe kontrabandës. Vendimet e mëdha për të cilat trumbetonin, i kthyen në privilegje të mëdha për veten e tyre, ndërsa qytetarët i lanë të izoluar, paraja publike po abuzohet, ndërsa po rrezikohet edhe miqësia me SHBA-në dhe BE-në.

Të nderuar qytetarë dhe pjesëmarrës në këtë tubim,

Në këtë përvjetorë të 12 të vdekjes, sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë për mësimet dhe vizionin e Rugovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe gjithë Kosova kanë qenë me fat që kanë pasur një lider të përmasave ndërkombëtare, prandaj rruga përpara është me shumë sfida, por me urtësi, maturi dhe vizion të gjitha do të tejkalohen.

Lavdi për jetë e mot, jetës dhe veprës së presidentit Rugova!

 

LDK – Zyra për Informim

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *