Kryesia e LDK-së mbajti mbledhjen e rregullt

E udhëhequr nga kryetari Isa Mustafa, sot u mbajt mbledhja e rregullt e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Fillimisht, me rastin e 24 Majit, Ditës së Presidentit, u përkujtua Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe roli i tij vendimtar në pavarësimin e vendit duke qenë arkitekt i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë së LDK-së diskutuan për aktualitetin politik dhe për proceset e rëndësishme që e presin vendin në të ardhmen.

Në këtë kontekst, u bisedua për krizën e rëndë institucionale dhe qeverisëse në të cilën ndodhet vendi si pasojë e keqqeverisjes në të gjitha sektorët si dhe mungesës së legalitetit dhe legjitimitetit të strukturës aktuale në pushtet.

Kryesia e LDK-së diskutoi edhe për mbarëvajtjen e tryezave të organizuara nga subjektetet politike parlamentare, të inicuata nga LDK-ja.

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së përkrahën unanimisht qëndrimin se këto tryeza duhet të përfundojnë me një tryezë përfundimtare të thirrur nga LDK-ja, e cila duhet të rezultojë me dakordim të partive për datën e zgjedhjeve të reja nacionale, që duhet të mbahen në një periudhë sa më të afërt, si dhe për avancimin konsensual të proceseve tjera të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryesia e LDK-së ishte unanime se ky dialog duhet të hyjë në fazën e përfundimtare dhe që paraprakisht të qartësohen temat si dhe formati i këtij dialogu.

 

LDK – Zyra për Informim

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *