Deputetët e LDK-së bëjnë homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Minstrit Kolonel Ahmet Krasniqi

Prishtinë, 14 dhjetor 2018

Me rastin e mandatimit të sotëm në Kuvend, të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së ka bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i Ministrit të parë të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së z. Ismet Beqiri ka thënë se kjo ditë mbetet historike për popullin e Kosovës dhe meritën e ka Komandanti i parë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, ish-Presidenti Rugova, i cili ndërtoi rrugën për formimin e ushtrisë të shtetit tonë.

“Është kulmimi i sakrificës së popullit të Kosovës që rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, sot mandatimit të ushtrisë së Kosovës.

Po bëjmë homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Komandanti Suprem i Ushtrisë së Kosovës për të kujtuar kontributin e tij drejt shtetformimit të vendit tonë, ne aleancë të fuqishme me ShBA-të, Gjermaninë, Britaninë dhe gjithë botën perëndimore”, ka thënë z. Beqiri në përkujtim te varri i Presidentit Rugova.

Deputetët e LDK-së, kanë vazhduar te varri i Kolonel Ahmet Krasniqit, në nderim të veprës së tij.

“Njëkohësisht po bëjmë homazhe te Ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi i cili dedikoi jetën për çlirimin dhe lirinë për një Kosovë të pavarur.

Urime qytetarëve të Kosovës formimin e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh z. Ismet Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur në vazhdimësi këtë transformim dhe është e bindur se kjo ushtri do t’i shërbejë gjithë vendit dhe rajonit për siguri, paqe dhe stabilitet.

LDK – Zyra për Informim