REAGIM

Nga Gazeta Express, e cila deri sot në mëngjes e mbajti si kryelajm, kuptuam se deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, mbrëmë më 22 janar 2019 në një emision në Televizionin T7 e shpalli të vdekur Kryetarin e LDK-së, Akademik Isa Mustafa.

Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.

Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës.

LDK konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënoj kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik.

LDK dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale.