Konferenca për medie e LDK-së, folës zëdhënësi Besian Mustafa

Edhe dy ditë do të festojmë 11 vjetorin e pavarësisë dhe ky koalicion qeverisës, si rëndomë, për të mbuluar dështimet e tij në një fushë sajon një fushatë e një slogan, për të na qitur hi syve. Sivjet, në vend që të ju kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për të gjitha dështimet drejt zhvillimit socio-ekonomik të vendit dhe të punojë me zell për të përmirësuar jetën e qytetarëve, Qeveria ka vendosur edhe një herë të mbulojë dështimet e saj duke e shpallur vitin 2019 “vit të ekonomisë”. Natyrisht, prapa “vitit të ekonomisë” nuk ka asnjë program zhvillimor, asnjë masë zhvillimore, por thjeshtë një shou mediatik, me vizita të qeveritarëve plot kamera te kompanitë kosovare, të cilat mbesin në po të njëjtën gjendje mjeruese pasi që qeveritarët dhe kamerat të shkojnë në shtëpi.

Telekomi

Telekomi i Kosovës është në kolaps total. Po të ishte kompani private, bazuar në performancën financiare ku çdo vit gjeneron humbje pas humbje, Telekomi do të falimentonte qëmoti. Përveç këtyre humbjeve vjetore dhe rritjes enorme të mbipunësimit të militantëve partiak të koalicionit PAN, tanimë siç duket Telekomi do të detyrohet të i paguajë kompanisë Z-Mobile 30 milion euro, duke i shtuar edhe kamatën edhe shpenzimet e përfaqësimit. Në vend që Qeveria të ndëshkojë përgjegjësit për shkatërrimin e vazhdueshëm të Telekomit, ajo tani ka paralajmëruar që po merr një kredi prej 25 milion euro për t’i paguar dështimet korporative të Telekomit dhe dështimet mbikëqyrëse të Qeverisë. Dështimet korporative të shumë ndërmarrjeve publike dhe dështimet mbikëqyrëse të Qeverisë mbi këto ndërmarrje publike janë skandaloze, duke i shkaktuar qytetarëve të Kosovës dhjetëra e qindra miliona euro humbje! Telekomi dhe ndërmarrjet publike janë pronë e qytetarëve të Kosovës dhe Qeveria ka obligim kushtetues e ligjor ta mbrojë këtë pasuri të qytetarëve të Kosovës e të punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve publike, e jo ta fus qytetarin e Kosovës në borxhe për të mbuluar dështimet e Qeverisë.

Izolimi i qytetarëve dhe kompanive

Në mungesë të liberalizimit të vizave, falë partnerëve të këtij koalicioni, qytetarët kosovar dhe kompanitë kosovare janë më të izoluarat në Evropë, duke mos mundur të udhëtojnë për të u shkolluar në Evropë e për të bërë biznes në Evropë.

Papunësia

Shkalla e përgjithshme e papunësisë ka arritur në 30,7%, norma e papunësisë te gratë është 34,8% e tek rinia arrin 55%! Pra, për 12 muaj janë humbur 18 mijë vende pune! Për studentët kosovar, nuk do të ketë vende pune kur të diplomojnë e në anën tjetër, profesionistët ekzistues, po ikin nga Kosova sapo të gjejnë një mundësi.

Tregtia e jashtme

Në vitin 2018 kemi importuar 2,972 miliardë euro më shumë se që kemi eksportuar, që i bie që deficiti tregtar në 2018 ka qenë 303 milion euro më i lartë së në 2017 . Pra, duke ju falënderuar politikave ekonomike shkatërruese të kësaj Qeverie, kompanitë kosovare janë lënë anash dhe nuk po munden t’i bëjnë konkurrencë kompanive të huaja, qoftë brenda apo jashtë Kosovës.

Investimet e huaja direkte

Investimet e huaja direkte për 12 muaj deri në nëntor 2018 kanë rënë për gati 9%, apo 21,2 milion euro . Pra, kompanitë e huaja po e shohin Kosovën si një shtet me rrezik të lartë politik e me korrupsion në ngritje , andaj edhe nuk po i investojnë fondet e tyre në Kosovë, nuk po krijojnë vende pune në Kosovë, por po shkojnë në shtete ku Qeveria përkujdeset ta zhvillojë sektorin privat, e jo ta ngulfasë atë.

Keqmenaxhimi i financave publike

Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, për të vërtetuar paaftësinë për të krijuar e ekzekutuar politika zhvillimore socio-ekonomike, ky koalicion qeverisës ka keqmenaxhuar e abuzuar me paranë publike, duke shpenzuar rezervat shtetërore qysh në fillim të vitit, duke falë borxhe veç për qejf e duke ndarë mjete publike sipas qejfeve të tyre, pa asnjë kriter. Pa asnjë kriter zhvillimor kanë ndarë e aprovuar buxhetin e vitit 2019, i cili ulë investimet kapitale afatgjata e i rritë shpenzimet konsumuese imediate dhe, ato pak investime kapitale, i ndanë jo sipas nevojave zhvillimore, por sipas interesave politike e personale.

Si përfundim, nuk e kuptojmë si, e pse, Qeveria mund ta quaj këtë “vit të ekonomisë” kur shihet qartë që nuk kanë asnjë politikë e program zhvillimor. Ç’është më e keqja dhe më alarmantja, kjo Qeveri mendon që brenda një viti, duke e shpallur “vit të ekonomisë”, mund të tejkalojë të gjitha sfidat socio-ekonomike të Kosovës. Me gjasë, ky është edhe sinjali më i qartë që e dinë se nuk do të qëndrojnë në pushtet më gjatë se këtë vit.

LDK – Zyra për Informim

Kontakt për medie:

Besian Mustafa, Zëdhënës
+38349789096
media@ldk-ks.eu

———————————————————-

“Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP), TM3 2018”, ASK, dhjetor 2018. Shkarkuar më 14.02.2019 nga http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/add-news/anketa-e-fuqise-punetore-afp-tm3-2018
“Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Dhjetor 2018”, ASK, janar 2019. Shkarkuar më 14.02.2019 nga http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/add-news/statistikat-e-tregtise-se-jashtme-stj-dhjetor-2018
“Investimet e huaja Direkte në Kosovë – sipas aktivitetit ekonomik”, BQK. Shkarkuar më 14.02.2019 nga https://bqk-kos.org/repository/docs/time_series/33%20Foreign%20direct%20investments%20-%20by%20sector.xls
“Corruption Perceptions Index 2018”, Transparency International, janar 2019. Shkarkuar më 14.02.2019 nga https://www.transparency.org/cpi2018