Konferenca e rregullt e LDK-së

Prishtinë, 1 mars 2019

“Vendi është në krizë të thellë politike dhe diplomatike ku po cenohen mardhëniet tona me miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA dhe BE”, ka thënë në hyrje të konferencës së rregullt të LDK-së, Zëdhënësi, z. Besian Mustafa.

Gjithashtu, gjeni të bashkangjitur fjalimin e kryetarit të GP të LDK-së, z. Avdullah Hoti të mbajtur sot në konferencë.

 

KOSOVA NUK DUHET TË KORRIGJOJË KUFIJTË, POR LIDERSHIPIN E VETË

 

Në 11 vjet shtet, asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozitë më të dobët. Kosova po përjeton degradim institucional për shkak të lidershipit shtetëror që është jo lojal ndaj shtetit të Kosovës. Sot është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor, SHBA-së, ndaj shtetit të Kosovë. Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të shtetit më pro amerikan dhe pro evropian, i ndalohet udhëtimi në SHBA. Anulohet 10 programe në qendrën Marshall.

 

Në anën tjetër, Presidenti lobon fuqishëm korrigjim të kufijve. Sikur Presidenti të lobonte kaq fuqishëm për njohje të reja, nuk do të kishim tërheqje të njohjeve. Dialogu është në rrugë pa krye. Ekipi dialogues është jo kushtetues. Ky format i ekipit na ka kthyer në kohën e institucioneve të përkohshme.

 

Poashtu, Presidenti nuk është duke e kryer rolin e tij kushtetues, që nga marsi i vitit të kaluar ka bllokuar funksionimin e KQZ-së, me pasoja për të gjitha Asambletë Komunale në gjithë Kosovën. Mbi 30 asambleistë të komunave presin për t’u çertifikuar, një deputet i Kuvendit të Kosovës gjithashtu është duke pritur për t’u çertifikuar nga KQZ, dhe të gjitha stafet e grupeve parlamentare dhe të punësuarit në partitë politike që financohen nga buxheti i shtetit, janë bllokuar tashmë 2 muaj për paga të rregullta. Sigurisht partitë tjera mund të kenë burime tjera të financimit, por Lidhja Demokratike e Kosovës bazohet në financat nga buxheti i shtetit, në bazë të formulës për ndarjen e buxhetit për partitë politike. Do të ketë një seancë të jashtëzakonshme të cilën kërkesë tashmë e ka dorëzuar LDK.

 

Taksa po përdoret si strehë për plaçkë të buxhetit nga koalicioni PAN. Mbi 8 milion euro janë ndarë nga rezerva gjatë vitit 2018. Qeveria është shndërruar në mekanizëm vendimarrës për të realizuar interesa biznesore, siç ishte rasti me vendimet për: (i) uljen e akcizës në duhan, (ii) lirim nga taksat të prodhuesve të ujit, (iii) shpallja si investitor strategjik një kompani e shkatërron lumbardhin e Pejës etj. Institucionet dhe ndërmarrjet publike janë bërë strehë punësimi për militantë dhe familjarë të partnerëve të koalicionit PAN.

 

Kryetari i PDK-së duhet të marrë përgjegjësinë për këto dështime, sepse po e quan veten shef të koalicionit PAN. Kosova duhet të lirohet nga ky lidership sa më parë. Dhe zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme. Vetëm një qeveri e re, me legjitimitet të fuqishëm qytetarë, mund të udhëheq Kosovë drejt integrimit euro-atlantik. Vetëm një qeveri e tillë mund të marrë përsipër dialogun me Serbinë.

 

Kosova duhet të dialogojë. Kosova ka dialoguar në Rambuje dhe në Vjenë pa frikë, sepse i ka besuar lidershipit të vetë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Por, sot ekziston frika tek qytetarët nga procesi i dialogut. Jo frikë nga partnerët ndërkombëtarë, sepse ata e kanë bërë të qartë se Kosova vendos vetë se çfarë marrëveshje do të nënshkruajë. Por, frika e qytetarëve vjen nga mungesa e besimit në lidershipin e Kosovës, në veçanti në Presidentin dhe ekipin dialogues.

 

Po e përsëris edhe një herë qëndrimin e LDK-së lidhur me dialogun. Platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës. Ekip dialogues është Qeveria legjitime, që e udhëheq dialogun bazuar në një platformë orientuese, që miratohet në Kuvendin e Kosovës vetëm me 2/3 e votave.

 

Le ta ketë të qartë Presidenti, dhe të gjithë lobuesit rreth tij brenda dhe jashtë vendit, se korigjim të kufijve nuk do të ketë. Qytetarët e Kosovës do të korrigjojnë lidershipin e tyre. Në zgjedhje të lira, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin një lidership lojal ndaj tyre dhe Republikës së Kosovës.