Kryetari Mustafa përkujton 20 vjetorin e Betejës së Koshares

Kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa përkujton 20 vjetorin e Betejës së Koshares:

“Beteja e Koshares e zhvilluar 20 vite më parë shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës.

Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më heroiket të UÇK-së, por njëkohësisht fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri.

Uniteti dhe vendosmëria e ushtarëve tanë dhe shkathtësitë e larta ushtarake bën që këta luftëtarë të triumfojnë në këtë betejë ndaj një armiku të madh dhe të armatosur.

Poashtu në këtë ditë vlerësojmë lartë dhe përkujtojmë të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës.

Vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës tonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euratlantike.

 

Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës”.