Fjala e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në Kuvendin e punës

KUVENDI I PUNËS

18 MAJ 2019

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ju përshëndes të gjithë ju dhe ju falënderoj për një bashkëpunim të mirë që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve, që nga Kuvendi i Tetë i LDK-së.

Sot, së bashku po e trajtojmë Raportin e Punës së LDK-së për periudhën nga qershori i vitit 2015 dhe deri më tani si dhe Raportin Financiar të LDK-së.

Gjatë kësaj periudhe, për herë të parë pas luftës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke dhënë shembull të qeverisjes demokratike e me duar të pastra.

Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar fuqishëm për konsolidimin dhe forcimin e saj dhe të shtetit të Kosovës, duke e kultivuar frymën dhe vizionin rugovian.

Sot, LDK-ja është subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me numrin më të madh të komunave që i qeveris. Të gjitha matjet e opinionit publik e pasqyrojnë LDK-në me besimin më të madh qytetar në krahasim me subjektet e tjera politike. Kemi edhe  besim të madh të gruas dhe të rinisë.

Prandaj, unë krenohem si Kryetar i LDK-së që drejtoj një parti që gëzon besimin më të madh në Kosovë. Një parti e cila përkundër shumë sfidave, është unike, stabile dhe e qëndrueshme.

Të jeshë parti e parë është krenari por është edhe përgjegjësi dhe sfidë.

Krenohemi me çdo anëtar të LDK-së, me mbështetësit dhe simpatizantët tanë;

Ndjehemi përgjegjës para tyre ta drejtojmë mirë LDK-në dhe Kosovën;

Sfidohemi me vetën tonë që të mos bëhemi viktimë e vetëkënaqësisë por të hapemi për të gjithë ata që parapëlqejnë Lidhjen tonë duke krijuar ura të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës ndërmjat gjeneratave.

Në LDK çdo njeri ka vlera dhe merita. Pa këto vlera nuk do të arrinim këtu ku jemi sot!

 

Të nderuar kuvendarë të LDK-së

Zonja dhe zotërinj,

LDK-ja, si parti e qendrës së djathë, edhe gjatë këtyre  viteve e ka kultivuar rolin e saj shtetformues dhe ka vepruar konform aktualitetit politik, duke e ruajtur pozitën e saj lidere në rajon.

Është ky rezultat dhe shprehje e përkushtimit të dëshmuar të LDK-së për shtetin e Kosovës dhe e angazhimit të saj për zgjidhjen e problemeve që preokupojnë çdo qytetar, sikurse edhe rezultat i politikave konsistente, të bazuara në vendimmarrje demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar rigjenerimin e anëtarësisë, strukturave dhe kuadrove të saj. Por, kemi nevojë edhe në këto zgjedhje të përfshijmë sa më shumë gra, të rinj dhe të reja, duke ua siguruar pozitat dhe përgjegjësitë që u takojnë dhe i meritojnë.

Ka thelluar edhe më tej bashkëpunimin me partitë popullore evropiane,  ka dëshmuar orientimin  evropian dhe evroatlantik si  karakteristikë dalluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës në skenën politike të Kosovës.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë gjithë kësaj periudhe LDK ka vepruar dhe ka funksionuar me të gjitha kapacitetet e saj me strukturën dhe veprimtarët në terren.

Është ky kuvendi i dytë punues që po e mbajmë gjatë këtyre katër viteve. Kemi mbajtur 8 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe 46 mbledhje të Kryesisë. Janë mbajtur takime të rregullta me Degë dhe me kryetarë të Degëve, me Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë dhe Këshillin e ekspertëve.

Degët e LDK-së kanë vepruar në të gjithë vendin, diku me më shumë e diku me më pak sukses, por gjendja e përgjithshme, sidomos në kohën e zgjedhjeve është vlerësuar e mirë. Një punë të mirë e ka bërë edhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”.

Pas përcaktimit të orientimev strategjike në Kuvendin e Parë Punues, kemi vazhduar me trajtimin e të gjitha çështjeve dhe problemeve, të cilat nuk ishin të lidhura vetëm me jetën partiake por para së gjithash edhe me jetën institucionale të Kosovës.

Në Raportin që e keni marrë janë prezantuar në mënyrë të detajuar çështjet të cilat i kemi trajtuar dhe për të cilat kemi marrë vendime në Kuvendin e Punës, në Këshillin e Përgjithshëm, në Kryesi dhe në degët e LDK-së.  Aktiviteti i Forumit të Gruas, Forumit të Rinisë, Këshillit të ekspertëve dhe Fondacionit “Ibrahim Rugova”.

Dëshiroj të përgëzoj Degët e LDK-së për konstruktivitetin e tyre dhe punën me përkushtim, Forumin e Gruas dhe të Rinisë për zgjerimin e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare, për shumë trajnime dhe shumë debate të organizuara; Këshillin e ekspertëve për profesionalizmin e tyre në Programi Qeverisës; Grupin Parlamentar të LDK-së për një punë të mirë dhe përmbajtësore; Kryetarët e Komunave, për një qeverisje të suksesshme të tyre.

Në marrjen e vendimeve tona kemi pasur pajtueshmëri të gjerë. Por në disa raste ka munguar disiplina partiake në zbatimin e këtyre vendimeve nga individ të caktuar. Kjo na ka dëmtuar veçmas sa e drejtonim Qeverinë e Republikës së Kosovës, sidomos në çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kur është fjala për demarkacionin me Malin e Zi, u dëshmua se ata që krijuan kauzën e rrejshme kinse Kosova po humbë 8200 hektarë dhe i lanë qytetarët pa liberalizim të vizave, të njëjtit e votuan po të njëjtën marrëveshje pa ia ndryshuar asnjë shkronjë kur e morën pushtetin pas një dhune të paparë të ushtruar ndaj Qeverisë që e drejtoja unë në emër të LDK-së.  Kjo duhet të na shërbej si përvojë e keqe dhe e hidhur që asnjë nga njerëzit tanë të mos bie pre e mashtrimeve, dosllakive dhe gënjeshtrave.

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Nëse kthehemi për në retrospektivë të shkurtër shohim se:

LDK në kohën e duhur i kishte thënë jo fusnotës. Dikush më quajti pa të drejtë antiamerikan dhe antievropian dhe se po e devijoj rrugën rugoviane.

LDK në fillim të vitit 2014 kundërshtoi vazhdimin e vendeve të rezervuara. Po të ishim pajtuar me kerkesën e atëhershme të PDK-së, AAK-së, AKR-së, sot Kuvendi do të ishte në një kollaps total të kushtëzimit nga pakicat dhe Lista Serbe.

Një vit më parë, kur u intensifikua kërkesa për dialog me Serbinë për marrëveshjen përfindimtare, LDK ishte e qartë dhe e vendosur se nuk do të përkrahë të dialoghet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territorit dhe vënia në pyetje e shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, dhe se nuk bëhet pjesë e këtij dialogu me një qeveri të pakicës.

Qeveria dhe as partitë e koalicionit qeverisës nuk patën guxim ta votojnë në Kuvend Rezolutën e LDK-së, në emër të opozitës, për të ndaluar dialogun e Presidentit të vendit për territorin.  Ata vet ia dorëzuan Presidentit drejtimin e dialogut.

Në numër të pakët ishin disa në LDK që u frikësuan se LDK për herë të parë po mbetet jashtë proceseve të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe se po i mungon lidershipi. Por doli se jashtë proceseve nuk po mbetet LDK, se LDK ka lidership që mendon me kokë e jo me emocione, sepse pa LDK- në, si parti më e madhe, nuk bëhet asnjë proces.

Jashtë procesit të dialogut mbetën dhe do të mbesin ata që që projektuan pazare territoriale me Serbinë. Në këto qëndrime ishim bashkë me Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm  me Grupin parlamentar dhe me degët e LDK-së.

 

Pjesëmarrës të nderuar,

Lidhja Demokratike e Kosovës nga dhjetori i vitit 2014 deri në fillim të shtatorit të vitit 2017 drejtojë për herë të parë Qeverinë e Kosovës, që nga përfundimi i luftës.

Ne nuk e morëm drejtimin e Qeverisë me dhunë, por duke argumentuar se jemi forca e vetme politike në vend e cila mund të bëjë ndryshime dhe PDK-në e sollëm në situatë të na dorëzojë qeverisjen e vendit.

Cfarë mund të themë në pika të shkurtëra për Qeverinë që unë e drejtova gati tre vjet me besimin e LDK-së.

Konsideroj se ishte Qeveria më normale dhe më e përgatitur që e ka pasur Kosova. Qeveria dha rezultate në të gjitha fushat, por e cila nuk pati asnjë skandal, asnjë ministër me aktakuzë për punën gjatë mandatit të saj.

Qeveria që e drejtoi LDK-ja nënshkroi Marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, MSA-në ; plotësoi 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave; arriti Marrëveshjen-Kornizë për Qasjen e Kosovës në Programet e BE-së;

Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja u ka hapur rrugë reformave më të mëdha dhe më substanciale ekonomike e fiskale, përfshirë Programin Kombëtar të Reformave Ekonomike;

Ka siguruar rritjen ekonomike nga 1.4% sa ishte kur e ka marrë drejtimin e qeverisë në rreth 4% për vitin 2015, 2016 dhe 2017

Buxheti i Kosovës për herë të parë arriti shifrën e mbi 2 miliardë eurove edhe pse ua fali qytetarëve borxhet në mbi 400 milion euro, dhe plotësoi boshllëkun financiar të paparaqitur nga qeveria paraprake prej rreth 200 milionë euro. ndërkaq me FMN-në siguroi mbi 700 milionë euro për investime kapitale.

Ne themeluam Fondin për Garantimin e Kredive, nxorëm Ligjin për Investime Strategjike dhe Ligjin për Trepçën. Ne e shpëtuam Trepçën nga falimentimi.

Investime të huaja direkte në dy vitet e para të qeverisjes arritën në rreth 500 milionë euro dhe arritëm ta kompletojmë linjën e interkoneksionit me Shqipërinë.

U ndërtua një pjesë e rëndësishme e autostradës për në Shkup, filluan punimet në rrugën për Podujevë, vazhduan ato për Pejë dhe Mitrovicë dhe u bënë përgatitjet për fillimin e rrugës së Gjilanit.

Për herë të parë u rritën pensionet kontributdhënëse nga 25% deri në 75% dhe ndihmat sociale për 25%. U arritën marrëveshje për punësim sezonal me shumë shtete.

Në bashkëpunim me institucionet ndërkombetare u  përgatit infrastruktura ligjore dhe stafi për fillimin e procesit të sigurimeve shëndetësore.

U nënshkrua Marrëveshja  për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, e cila mbeti të ratifikohej nga ana e Kuvendit.

Për herë të parë, në Varshavë u nënshkrua një marrëveshje për menaxhimin e kufijve me një agjenci të Bashkimit Evropian (FRONTEX), e cila koordinon dhe zhvillon menaxhimin e kufijve evropianë në përputhje me politikat e BE-së.

Deri sa ne qeverisnim, Komisioni Evropian  konfirmoi se Kosova kishte plotësuar kriterin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, si kriter për liberalizim të vizave. Tani disa vende të rëndësishme të BE-së refuzojnë liberalizimin e vizave, sepse kanë vërejtje në korrupsionin e niveleve të larta të kësaj qeverie dhe në punën e dobët të sistemit të drejtësisë.

Me SHBA-të u arrit  Marrëveshja për Programin e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Në fushën e shtetit ligjor iniciuam përmbylljen e ndryshimeve ligjore për pavarësimin e plotë të gjyqësorit dhe të sistemit prokurorial.

Zhvilluam me sukses procedurat në arbitrazh kundër padisë qindëra milionëshe të firmës AXOS, duke e shpëtuar manipulimin e parasë publike.  Nuk lejuam të ndodhë ajo që ndodhi në qeveritë e kaluara me pasaportat dhe Z-Mobile.

Qeveria përgatiti dokumentet më të rëndësishme,  përfshirë edhe  Ligjin për të parandaluar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. I bëri të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol, por qeveria aktuale u tërhoq nga aplikimi në momentin e fundit.

Në kohën e qeverisjes së LDK-së, Kosova u anëtarësua me të drejta të plota në 14 organizata sportive, ndër të cilat në: UEFA, FIFA, FIBA dhe FIBA Evropë.  Me këto është përmbyllur ndërkomëtarizimi i sportit. U anëtarësua poashtu, në 4 organizata ndërkombëtare të kulturës.

Qeveria e drejtuar nga LDK  ka arritur rezultate të veçanta në afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, në forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në suaza të procesit të Berlinit janë intensifikuar marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Qeveria ka drejtuar dialogun për normalizimi e marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në Marrëveshjen e Parë të ratifikuar nga Kuvendi i Republikes së Kosovës në vitin 2013.

 

Të nderuar delegatë të Kuvendit,

Duhet të them se LDK kishte karshi vetes një opozitë të dhunshme. Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, si dhe një opozitë në pozitë, PDK-në që ishte partnere e koalicionit.  Të gjitha këto subjekte  u treguan mosduruese ndaj qeverisjes së LDK-së.

Ato përdorën gurë, bomba molotovi, granata, gaz lotësjellës, iriq metalik, vezë, e çka jo, kundër objekteve qeveritare, institucioneve dhe shtëpive familjare, përfshirë edhe shtëpinë dhe familjen time si Kryeministër.

Mocionin e mosbesimit e organizuan së bashku  të gjitha partitë shqiptare e jo shqiptare kundër LDK-së. PDK, kundër ministrave të saj. U pa qartë se ato nuk janë të interesuara që ky vend të qeveriset drejtë e as të luftohet krimi dhe korrupsioni. Qeverisja që prodhuan ata që e rrëzuan LDK-në është shembulli më i mirë i  ofertës dhe mentalitetit  të tyre.

Atyre nuk iu pëlqeu afirmimi nërkombëtar i Kosovës, reformat e brendshme në institucionet më të rëndësishme shtetëror, pavarësimi i Gjyqësorit dhe Prokurorisë.  As atyre dhe as Beogradit nuk u pëlqente që dialogu të drejtohej nga LDK, prandaj mocionin e përgatitën dhe e realizuan me listën serbe të dirigjuar nga Beogradi.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Në këto katër vite provuam të jemi në Qeverisje të vendit dhe me nënkryetarët dhe sekretarin e LDK-së, të cilët i falënderoj për punën dhe angazhimin e tyre. Përgëzoj, po ashtu, kryetarët e Degëve, GP dhe kryetarët e komunave.

Ju falënderoj juve të gjithëve, delegatë të Kuvendit për përkrahjen dhe rolin tuaj të rëndësishëm në vendimmarrje në Lidhjen Demokratike të Kosovës gjatë këtij mandati.

Ju ftoj, që pas prezantimit të Raportit Financiar nga z. Zharku  dhe debatit për këto dokumente,  ta aprovoni Raportin e Punës si dhe Raportin Financiar.

Ju faleminderit shumë!