Kryesia e LDK-së përkujton veprimtaren e shquar, Nekibe Kelmendi

Anëtarë të Kryesisë, deputetë, zyrtarë të LDK-së dhe familjarë kanë bërë homazhe sot, te varri i nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi.

Në tetë vjetorin e vdekjes, për veprimtarinë e saj në emër të Kryesisë, ka folur sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Beqiri ka vlerësuar me admirim gjithë veprimtarinë e saj politike dhe atdhetare duke e cilësuar si zonjë të hekurt.

“Nekibja ishte nënkryetare e LDK-së, deputete e jona dhe ministre e cila përveç gjithë kontributit të saj në shërbim dhe ndërtim të shtetit të Kosovës, këtij vendi ia dha edhe burrin dhe dy djemtë e saj.

Ishte shembull i punës dhe përkushtimit për LDK-në, Kosovën dhe qytetarët e saj.

Familja Kelmendi ishin luftëtarë që iu përkushtuan lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit tonë. Ndihet mungesë e madhe jo vetëm në LDK, por edhe në të gjitha institucionet tona”, tha ndër të tjerash z. Beqiri.

Nekibe Kelmendi ndërroi jetë më 19 qershor 2011, pas një sëmundje të shkurtër.