Hoti: Me ndihmën e diasporës dhe 700 mil.€ investime e kaluan krizën e pandemisë

Kryeministri Avdullah Hoti, në një takim me elektoratin në Deçan dhe Junik, ka thënë të enjten se me 700 milionë euro investime publike dhe me përkrahjen e remitencave nga diaspora, Kosova e ka kaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia. 

“E falënderoj diasporën tonë të cilat me remitencat e tyre, më të mëdhatë që mbahen mend, gjatë vitit 2020 na ndihmua që së bashku me 700 milionë euro investime direkte në ekonomi ta tejkalojmë me sukses krizën e shkaktuar nga pandemia. Përderisa vendeve të rajonit ju nevojiten 3-4 vite për ta tejkaluar krizën e pandemisë, ne me përkrahjen e diasporës e kemi kaluar për 6 muaj”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër. 

Hoti tha se vetëm nga Marrëveshja e Uashingtonit, Kosova fiton 1 miliardë dollar investime direkte, ndërsa do të aktivizohen edhe 5 miliardë të tjerë në katër vitet e ardhshme. “Me Komisionin Evropian kemi të kontraktuara 700 milionë euro investime. Ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë në shëndetësi pas gjithë atyre reformave të kemi nisur”, shtoi Hoti. 

Kryeministri e ka falënderuar Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për punën e suksesshme që ka bërë në manxhimin e pandemisë. 

Gjatë vizitës në Junik, kryeministri foli për planin e tij në fushën e turizmit. “Ne do të ofrojmë grante dhe kredi për ndërmarrjet në turizëm, do të zhvillojmë komplekse turistike nëpërmes partneritet publik-privat, do të ngritët infrastruktura për turizëm, do të përgatiten hartat turistike digjitale (pikat kulturore, arkeologjike, fetare, sportive, etj) dhe do të  subvencionohet turizmi rural”, pohoi Hoti. 

Kryeministri Hoti ka vizituar edhe Banjën e Pejës, ku ka biseduar me pronarin për projektin e tij për nxitjen e sektorit privat.