Hoti: Ata që shkelën dy herë kushtetutën për 52 ditë nuk mund t’i rrëzojnë vendimet tona

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në një tubim me elektoratin në Dragash se ish-kryeministri që shkeli kushtetutën dy herë për 52 ditë qeverisje, nuk mund t’i shfuqizojë vendimet që janë në interesin e qytetarëve dhe të lidhura ngushtë me partnerët amerikanë. 

“Njëri nga kandidatët nga partia e të kuqve tha se gjëja e parë që do ta bëjnë kur të vijnë në qeveri është t’i rrëzojnë marrëveshjet e qeverisë Hoti, pra ky është vizioni i tyre. Atij dhe atyre s’do t’iu vijë më mundësia të qeverisin sepse shkelën kushtetutën dy herë për 52 ditë. Marrëveshjen tonë për përfshirjen e FSK-së në misione paqësore, për 1 miliard investime amerikane dhe për njohje nga Izraeli nuk mund t’i shfuqizojë askush, sepse vullneti i qytetarëve të Kosovës është për orientimin euroatlantik të vendit”, ka thënë kryeministri Hoti. 

Gjatë takimit me elektoratin në Dragash kryeministri shpalosi programin e tij për zhvillimin e turizmit. 

Ai tha se një fushë me rëndësi në qeverinë e ardhshme të drejtuar nga LDK-ja do të jenë investimet dhe promovimet e sektorit të turizmit në Kosovë, duke përfshirë turizmin në kapacitetet natyrore dhe kulturore që ka vendi ynë. 

 “Ne duam që të gjithë të shohin bukuritë dhe begatitë që ka Kosova. Do të zhvillojmë turizmin, do të pavarësojmë institucionet e kulturës, do të mbështesim artistët dhe ngjarjet kulturore”, shtoi Hoti. 

Sipas tij, në fushën e zhvillimit ekonomik me prioritet do të jenë lehtësojmë kushtet e kredive, do të subvencionojmë normat e interesit, do të ofrohen grante për biznese, do të realizohet fiskalizimi digjital dhe do të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë. 

“Plani i LDK-së parasheh vazhdimin e përkrahjes për bujqit dhe prodhuesit me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje. Do të përmbyllim rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët dhe trajtimin e ujërave të zeza”, ka thënë kryeministri Hoti.