Hoti: Letra e presidentit Biden për Serbinë, vulosi miqësinë Kosovë-SHBA të ndërtuar nga LDK-ja

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha të dielën gjatë tubimit elektoral në Vushtrri se raportet Kosovë-SHBA që ishin dëmtuar nga qeveria Kurti, u kthyen në rrugën e duhur falë qeverisjes së LDK-së.  

Ai tha se letra e presidentit Biden për Serbinë, vulosi miqësinë Kosovë-SHBA të ndërtuar nga LDK-ja.  

“Që nga dita e parë kam punuar për të sjell normalitet në qeverisje. Pra formula ishte normalitet, stabilitet dhe zhvillim dhe kjo u shpagua. Vetëm pas disa muajsh unë mora ftesë dhe shkova në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen që e fuqizoi shtetin e Kosovës si në ekonomi ashtu në fushën diplomatike duke sjell njohjen nga Izraeli. Sot doli një letër e presidentit të ri amerikan Joe Biden që e vulosi miqësinë Kosovë-SHBA, miqësi të cilën e filloi, e ndërtoi dhe e ruajti, LDK-ja e presidentit Rugova”, tha Hoti.