Hoti nga Mitrovica: Letra e Bidenit garanci se integriteti territorial i Kosovës nuk cenohet

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të dielën në tubimin elektoral në Mitrovicë, se integriteti territorial i Kosovës nuk shitet e as nuk negociohet dhe garant të kësaj janë miqtë ndërkombëtarë me të cilët Lidhja Demokratike e Kosovës ka raporte të shkëlqyera.  

“Integriteti territorial nuk është në shitje dhe nuk negociohet, as nuk ka harta, as thika, partnerët tanë na kanë garantuar ashtu siç ndodhi me 4 shkurt në Zyrën Ovale dhe sot me letrën e presidentit Biden”, tha Hoti.  

Ai i ftoi banorët e Mitrovicës që më 14 shkurt mos të bien pre e mashtrimeve.  

“Letra e sotme e presidentit Biden e ka vulosur partneritetin që kemi ndërtuar me SHBA-të. Jemi në mes të fushatë dhe kjo letër na tregon qartë se kah duhet të orientohen qytetarët e Kosovës, dhe 14 shkurti do të mbyllet me fitoren e LDK-së dhe të partnerëve tanë”, tha Hoti.  

Kandidati i LDK-së, tha se oponentët politik, janë njerëz pa vizion për ruajtjen e shtetit të Kosovës.  

“Kanë menduar disa kundërshtar që kanë kryer punë me LDK-në, por jo s’kanë kryer punët me qytetarët e Kosovës, sepse ata nuk mund të mashtrohen me megafona rrugës, e me parulla. Unë kërkoj mbështetje për LDK-në sepse nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës euroatlantike. Më 14 shkurt qytetarët e dinë sepse nuk kanë opsion tjetër, është opsioni i LDK-së për orientim perëndimor dhe janë këta të kuqtë, një grupi i njerëzve që s’ju dinë kush të kaluarën, janë ekstremistë të gjithë llojeve. Qytetarët do t’i thonë jo atij opsioni, dhe kanë me e mbështetë opsionin e LDK-së”, tha Hoti.