Fjalimi i kandidatit për Kryeministër, z. Hoti në mbylljen e fushatës së LDK-së

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës,

Të nderuar mbështetës të Lidhjes Demokratike,

Sot, kur po e mbyllim fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithëve për mbështetjen e pa rezervë që i keni dhënë ndër vite dhe po vazhdoni t’i jepni Lidhjes tonë. 

Ne e hapëm këtë fushatë me sloganin “Shteti. Shtet.”

E bëmë këtë për t’iu rikujtuar të gjithëve se lirinë dhe demokracinë, që e gëzojmë sot, sado e brishtë, nuk guxojmë ta marrim si të mirëqenë.

E vendosëm këtë slogan sepse nuk guxojmë të eksperimentojmë mbi sakrificën shekullore, rezistencën paqësore dhe ushtarake, dhe mbi amanetin e të rënëve për liri e pavarësi.

E bëmë këtë për të qartësuar para atyre që nxjerrin ide që dëmtojnë shtetin, se Republika e Kosovës është e përjetshme.

Se Republika jonë është rezultat i përpjekjeve të brezave të tërë për liri e pavarësi.

Sigurisht se në rrugëtimin tonë kemi shumë sfida, të cilat po i tejkalojmë me kokën lartë, me shumë punë e përkushtim, me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu e ndërtojmë kohezionin e nevojshëm shoqëror për të ardhmen evropiane dhe fuqizimin e Republikës – shtetit tonë.

Jemi në fillim të rrugës si shtet i pavarur, kemi bërë dhe, padyshim, do të bëjmë gabime në ecje.

Por, ta kenë të qartë të gjithë se ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, asnjëherë nuk heqim dorë nga ëndrra e të parëve, nga ideali për Kosovën demokratike, për Kosovën evropiane, ku mbizotëron toleranca dhe fjala e lirë, ku vlerësohet puna e përkushtimi ndaj familjes e ndaj shtetit, ku respektohet integriteti dhe dinjiteti i secilit.

Për Lidhjen tonë, SHTETI është MBI TË GJITHA

Ne jemi ata, të cilët në themelet e angazhimit politik kemi pasur gjithmonë zhvillimin e Kosovës, si shtet i të barabartëve dhe shtet i të drejtës.

Ne respektojnë institucionet e shtetit dhe i fuqizojnë ato.

Ne nuk i diskutojmë vendimet e drejtësisë edhe atëherë kur nuk na shkojnë përshtati.

Sepse shteti ndërtohet duke e respektuar atë, duke punuar për të, duke e vënë interesin e shtetit mbi të gjitha.

Ne jemi të përkushtuar për ta bërë më të mirën për shtetin, dhe ju garantoj se do ta bëjmë.

Të mos keni asnjë dyshim. E kemi provuar historikisht tash e tri dekada.

Por, ne asgjë nuk e marrim si të mirëqenë.

Prandaj, asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari për shtetin shtet.

Prandaj, të dashur qytetarë, të të gjitha moshave, burra e gra, djem e vajza, ju ftoj të votoni Lidhjen Demokratike, me numrin 132.

Nga lista prej 110 kandidatëve, zgjidhni 5 prej tyre, që përfaqësojnë më së miri interesin tuaj.

Vetëm në listën tonë i gjeni kandidatët më të përgatitur për drejtuar shtetin.

Ne jemi të gatshëm, si gjithmonë gjatë tri dekadave, të marrim përgjegjësinë për shtetin, sepse dimë si të përballemi me sfidat që për ndërtimin e shtetit shtet.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shëndeti i qytetarëve është primar, prandaj edhe e kemi trajtuar dhe do ta trajtojmë me prioritet menaxhimin e pandemisë.

Vetëm ne kemi prezantuar program të plotë në këtë fushatë zgjedhore, program konkret për zhvillim ekonomik përmes fuqizimit të sektorit privat.

Ne do të lehtësojmë qasjen në financa, do të forcojmë fondin për garantimin e kredive, do t’i subvencionojmë normat e interesit për bujq dhe do të rrisim grantet për gratë dhe të rinjtë.

Do të zvogëlojmë licencat për biznese, do të bëjmë fiskalizimin digjital dhe do të liberalizojmë tregun e energjisë.

Vetëm ne e kemi përvojën e nevojshme dhe vullnetin të bëjë ndryshime në sistemin e drejtësisë, përmes një procesi transparent të VETINGUT.

Ne, për 7 muaj qeverisje, e hoqëm nga diskursi publik fjalën korrupsion.

Sepse ne qeverisëm me duar të pastra.

Lidhja Demokratike nuk angazhohet për pushtet, por për shtet.

Vetëm Lidhja Demokratike ka treguar se respekton ndarjen e pushteteve. 

Ne e kemi dëshmuar këtë me veprime konkrete në vazhdimësi.

Sepse shteti është shtet, kur respektohen ndarja e shtyllave të shtetit.

Vetëm me një qasje të tillë, na hapet rruga për integrim euro-atlantik.

Vetëm ne e respektojmë lirinë e shprehjes dhe promovojmë tolerancën.

Sepse, vetëm kështu i jepni frymë mendimit ndryshe, i cili avancon shoqërinë dhe shtetin, i cili është kusht për zhvillimin e shpirtit të lirë dhe mbizotërim të demokracisë në shtetin tonë.

Të dashur qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës,

Ne e sollëm marrëveshjen e Uashingtonit, e cila i sjellë Kosovës 1 miliard dollarë investime dhe mijëra vende pune, i solli një njohje të re pas tri vitesh bllokadë, e hapi tregun amerikan për qasje në financa dhe, mbi të gjitha, e fuqizojë miqësinë tonë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë marrëveshje, dhe me shumë projekte të tjera, unë ju ftoj të votoni Lidhjen Demokratike, për ta bërë Kosovën qendër për inovacion dhe teknologji.

Sepse, ne do të fuqizojmë teknologjinë e informacionit, si gjenerues i vendeve të reja dhe cilësore të punës.

Mbi të gjitha, duke votuar Lidhje Demokratike, ju respektoni traditën, përkushtimin për shtet.

Duke votuar Lidhjen demokratike, ju mbështetni zhvillimin e arsimit dhe shkencës, kulturës dhe sportit, dhe mbrojtjen e trashëgimisë tonë të pasur.

Vetëm me Lidhjen Demokratike, Kosova ruan dhe avancon diversitetin e saj kulturorë, tolerancën shembullore ndër fetare, me të cilën krenohemi gjatë rrugëtimin tonë drejt familjes së madhe evropiane, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Aleancës Veri-Atlantike.

Me Lidhje Demokratike, Kosova kontribuon në ruajtjen e paqes kudo nëpër botë, me vajzat dhe djemtë Forcës së Sigurisë së Kosovës, që tani janë bërë pjesë e Ushtrisë Amerikane në misione paqeruajtëse.

Me qeverisjen e Lidhjes Demokratike, Kosova është vënë në qendër të agjendës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më në fund, të gjithë e kanë kuptuar se më 4 shtator 2020, në Uashington është nënshkruar marrëveshja më e rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, marrëveshje që e fuqizon sovranitetin e Kosovës.

Të tjerët nuk kishin vizion për të parë rëndësinë e kësaj marrëveshje.

Vetëm ne kemi dëshmuar se nuk zmbrapsemi para sfidave.

Vetëm ne i realizojmë premtimet.

Vetëm me qeverisjen tonë, Kosova ka normalitet, stabilitet dhe zhvillim.

Vetëm me qeverisjen e Lidhje Demokratike vazhdojnë reformat në ekonomi që sjellim zhvillim, punësim dhe mirëqenie.  

Vetëm në programin qeverisës të Lidhjes Demokratike parashihet, me veprime konkrete, politikat që qojnë në rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Ne jemi zotuar të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse.

Ne jemi zotuar se nuk do të ketë ndihmë sociale apo pension nën 300 euro.

Ne do të institucionalizojmë kujdesin për personat me nevoja të veçanta.

Qeveria e re do të financojë 15% të projekteve të organizatave joqeveritare.

Prandaj, të dashur qytetarë,

Mos u mashtroni nga premtimet boshe të kundërshtarëve tanë, atyre që kundërshtonin çdo gjë, atyre që kundërshtuan çdo hap në rrugën e gjatë të shtet-ndërtimit.

Ato premtime nuk bazohen në asnjë program.

Ju e keni vërtetuar vetë se vetëm ne kemi prezantuar program të plotë qeverisës në këto zgjedhje.

Ju ftoj të krahasoni qeverisjen tonë me qeverisjet e kaluara.  

Ata merreshin me teori konspirative për harta e thika në Shtëpinë e Bardhë.

  • Ne komunikonim drejtpërdrejt me miqtë tanë perëndimore.

Ata nuk lanë gjë pa thënë për Administratën amerikane.

  • Ne morëm ftesë për të nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, që është kontratë me partnerin tonë strategjik, me aleatin tonë më të fuqishëm.

Me veprimet e tyre, u vendosën sanksione financiare ndaj Kosovës.

  • Ne nënshkruam marrëveshje për projekte madhore.

Ata merrnin kërcënime për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova.

  • Ne u ftuam të bëhemi bashkë me ushtrinë tonë në misione paqeruajtëse.

Me qeverisjen tonë, Kosova u kthye në krye të agjendës amerikane për Ballkanin.

Letra e Presidentit Biden, e rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, si shtet sovran.

Kjo nuk është arrihet me retorikë boshe dhe letra të mbushur me parulla ndaj miqve tanë perëndimor, siç bënin këta.

Kjo arrihet me veprime vizionare, me veprime konkrete shtet formuese.

Kjo letër hodhi poshtë teoritë, që ishin dhe mbeten teori të marra, se në Shtëpinë e Bardhë po planifikohej copëtimi i Kosovës.

Kjo letër ua bëri të qartë të gjithëve, që mohojnë shtetin e Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës, se Republika e Kosovës është e përhershme, ua bëri të qartë të gjithëve se shteti i Kosovës është shtet në kuptimin e plotë të fjalës.

Prandja, të dashur qytetarë,

Ju ftoj të votoni numri 132 dhe Lidhjen Demokratike.

Sepse është e qartë se vetëm me neve forcohet dhe zhvillohet shteti.

Ne e kemi dëshmuar fuqishëm këtë në këta muaj të qeverisjes.

Për vetëm pak muaj në qeveri, ne e normalizuam dhe stabilizuam vendin.

I liruam fondet prej 250 milion dollarë të MCC.

Në Zyrën Ovale, nënshkruam marrëveshje historike për Kosovën. 

Raportet me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare i ngritëm në nivel të lartë, përmes komunikimit direkt me udhëheqësit e vendeve anëtare, me Presidentin Francez Macron, Kancelaren Gjermane Merkel, Kryeministrin e Italisë Conte, Kancelarin Austriak Kurtz, Sekretarin e Selisë së Shenjtë – Kardinalin Parolin, dhe me të gjithë udhëheqësit të Bashkimit Evropian.

Ne zbatuam në praktikë politikat për fqinjësi të mirë dhe thellim të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përmes iniciativave rajonale dhe më gjerë.

Kur kundërshtarët tanë propagandonin që nuk do të ndodhte, nga Izraeli u formalizua njohja e shtetit të Kosovës dhe u vendosën marrëdhëniet diplomatike.

Të dashur qytetarë,

Ne e filluam ndryshimin, që u ndie fuqishëm në këta pak muaj të qeverisjes.

Jo ndryshim sipërfaqësor, por është ndryshim rrënjësor.

Ne e filluam ndryshimin jo me revolucion e anarki, por me reforma të strukturuara shtetërore, që bëjnë shtetin tonë pjesë e demokracive të zhvilluara perëndimore.  

Këtë e kemi dëshmuar. Shihni vetë faktet që lidhen me vendosjen e rendit dhe ligjit.

Ne jemi të vetmit që sigurojmë ”Shtetin Shtet” në të gjitha dimensionet e tij.

Të dashur qytetarë,

Mos hiqni dorë nga e drejta juaj për të zgjedhur vetë.

Ju e dini se vetëm me qeverisjen e Lidhjes Demokratike, Kosova udhëhiqet me ndershmëri, me kushtetutë, me politika të qarta.

Kosova ka nevojë për normalitet dhe stabilitet në qeverisje.

Këtë e siguron vetëm vizioni dhe programi i Lidhjes tonë, që do të zbatohet me një ekip profesional.

Prandaj, ju ftoj të na jepni besimin e juaj më 14 shkurt.

Duke votuar gratë dhe burrat e listës tonë, ju votoni për zërin tuaj të vërtetë, për ata që bashkë me juve ëndërruan, punuan dhe e ndërtuan Kosovën, shtet të pavarur e sovran, shtet demokratik.

Kosova, me neve në qeverisje, i ruan miqtë në të dy anët e atlantikut.

Na priftë e mbara.

Zoti i bekoftë miqtë tanë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj.

Zoti ju bekoftë juve që po na ndiqni.

Faleminderit.