Hoti: Slogani “Shteti. Shtet.” tregon se nuk guxojmë të eksperimentojmë me sakrificën shekullore

Kryeministri Avdullah Hoti, tha të premten në përmbyllje të fushatës zgjedhore, se slogani i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) “Shteti. Shtet.” është dëshmi se nuk guxojmë të eksperimentojmë me sakrificën shekullore. 

“Ne e hapëm këtë fushatë me sloganin ‘Shteti. Shtet.’ E bëmë këtë për t’iu rikujtuar të gjithëve se lirinë dhe demokracinë, që e gëzojmë sot, sado e brishtë, nuk guxojmë ta marrim si të mirëqenë. E vendosëm këtë slogan sepse nuk guxojmë të eksperimentojmë mbi sakrificën shekullore, rezistencën paqësore dhe ushtarake, dhe mbi amanetin e të rënëve për liri e pavarësi”, tha kryeministri Hoti. 

Ai tha se slogani i LDK-së demanton idetë që dëmtojnë shtetin, dhe fuqizon Republikën e Kosovës si projekt të përjetshëm. 

“Republika jonë është rezultat i përpjekjeve të brezave të tërë për liri e pavarësi. Sigurisht se në rrugëtimin tonë kemi shumë sfida, të cilat po i tejkalojmë me kokën lartë, me shumë punë e përkushtim, me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu e ndërtojmë kohezionin e nevojshëm shoqëror për të ardhmen evropiane dhe fuqizimin e Republikës – shtetit tonë”, shoi Hoti. 

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, asnjëherë nuk heq dorë nga ëndrra e të parëve, nga ideali për Kosovën demokratike, për Kosovën evropiane, ku mbizotëron toleranca dhe fjala e lirë, ku vlerësohet puna e përkushtimi ndaj familjes e ndaj shtetit, ku respektohet integriteti dhe dinjiteti i secilit. 

Ai i ka ftuar qytetarët, të të gjitha moshave, burra e gra, djem e vajza, të votojnë Lidhjen Demokratike, me numrin 132. 

“Ju ftoj të votoni numri 132 dhe Lidhjen Demokratike. Sepse është e qartë se vetëm me neve forcohet dhe zhvillohet shteti. Ne e kemi dëshmuar fuqishëm këtë në këta muaj të qeverisjes. Për vetëm pak muaj në qeveri, ne e normalizuam dhe stabilizuam vendin”, tha në fund Hoti.