Fjalimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas përfundimit të votimit

Të nderuar delegatë,

Ju faleminderit.

Ju faleminderit nga zemra për besimin, përgjegjësinë dhe nderin e dhënë.

Më lejoni që fillimisht të falenderojë në emrin tuajin e timin, deri më tash Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Isa Mustafa, që për 10 vite udhëhoqi me familjen tonë politike.

Më lejoni të falenderojë gjithashtu dhe kundërkandidatët e mi, z. Lutfi Haziri e z. Besian Mustafa që me kulturën e tyre politike – origjinale për një veprimtar të LDK-së, vendosën një standard të ri politik jo vetëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, por për gjithë skenën tonë politike dhe më gjerë.

Ju faleminderit Lutë e Besian.

Të nderuar delgatë,

Zonja dhe zotërinj,

Sot po e hapim një faqe të re të re rrugëtimit tonë politik, me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare.

Përgjatë viteve të shkuara, LDK arriti të kultivojë e mbrojë vlerat e projektet e saja tradicionale. Sikurse në pozitë ashtu edhe në opozitë, sikurse ne nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, si në përballje të lehtë e po ashtu në përballje kundër frymave populliste, LDK u tregua kujdestare e këtyre vlerave, promotore e secilit hap integrues euroatlantik, e zë i qartë i orientimeve të qendrës së djathtë.

Përgjatë kohës, megjithatë, LDK nuk arriti të mbajë e as rrisë mjaftueshëm votuesit e saj. Ndonëse arsyet për një rënie të tillë mund t’i rendisim e përmendim rend, arsyen e vërtetë dhe të vërtetën e vetme e gjejmë tek vetja; dhe nga vetja, ne duhet të nisim rikthimin tonë të madh.

Sot dhe nesër dhe gjithherë, ne nderojmë secilin kontribuues të LDK-së, secilin udhëheqës strukture, e secilin anëtarë të thjeshtë. Mbi të gjitha, sot ne nderojmë të 110 mijë votuesit tanë që kujdestaruan mbështetjen partiake në orën më të vështirë tonën. LDK sot nderon edhe udhëheqësinë paraprake dhe ndjenjën e thellë për shërbim publik.

Por, pavarësisht gjithë përpjekjeve, është bërë e qartë se sot ka pakënaqësi të mjaftueshme brenda e jashtë partisë që besojnë se grupimi ynë politik ka mbetur peng i argumenteve të vjetruara, dhe se kjo shtëpi e demokracisë duhet të rigjejë forcën e sajë argumentuese dhe të kohës. Forcë që unifikon partinë, forcë që përkon në sinkron me zërin qytetar, forcë që dëgjon dhe ofron alternativa e kauza mbi të cilat LDK qëndron me bindje të drejtë.

Dua të jem i qartë. Idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës. Ato janë fundamente jo vetëm të organizimit tonë partiak, por janë dhe shtylla themeltare të shtetit të Kosovës. Janë ide të nisura nga Presidenti Ibrahim Rugova, janë ide të kultivuara nga dy kryetarët paraprak, nga Presidenti Sejdiu e nga Kryeministrit Mustafa. Janë ide të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të tilla do të mbesin përherë.

Këto ide bëjnë që sot dhe nesër – e gjithëherë – burra e gra të këtij vendi të rreshtohen në familjen tonë politike, jo sepse kanë interesa përfitimi, jo sepse janë ndërlidhje të përjetimit individual të kohës, edhe më pak sepse trashëgohen, por sepse janë bindje. Dhe bindja, të nderuar delegatë, i mbijeton sfidave të kohës.

Unë, sikurse secili prej jush këtu, kam gjetur bindjen dhe besimin në këtë shtëpi politike. Kam gjetur idenë e ruajtur e të kultivuar me sakrificë të mundit dhe të jetës. Kam gjetur themeluesit e shtetit të Kosovës, ideologët e kohërave më të rënda, bashkëmendimtarët e sotëm; e kam gjetur dhe potencialet e së ardhmes. Kjo shtëpi, njëtrajtësisht më ka hapur dyert, siç do tua hapë të tjerëve – shumë të tjerëve – që do të vijnë pas. Gra e burra, veprimtarë e veprimtare, do të bartin pishtarin e lidhjes tonë përgjatë dekadave të ardhshme. Dhe pikërisht ky relacion, kjo ndjenjë, ky besim, e bën LDK-në të madhe. Numrat mbesin të përkohshëm, përpjekja jonë mbetet e përhershme. Prandaj rikthimi ynë është çështje kohe.

Sot, megjithatë ne duhet të veprojmë. Të bashkohemi rreth njër-tjetrit, të hapemi me të tjerët. LDK nuk ka njerëz për të humbur, por s’ka as njerëz mjaftueshëm për të ecur para. Sot LDK-së duhet ti japim një ekip dhe një lidership që përballon sfidat e kohës. Ndjej obligim, detyrë dhe – para së gjithash – nder, t’i prij këtij procesi përpara.

Kjo detyrë s’është fare e lehtë. Ajo përveç që e gjenë LDK-në në udhëkryq të kohës, e gjenë dhe vendin në në rrëshqitje drejt frymave populliste, politikave të majta, e ideve shpërbërëse të shtetit të Kosovës. Prandaj, e njëjta para se të jetë detyrë për prirjen e LDK-së, është edhe obligim patriotik – i barabartë me obligimin e secilit veprimtarë të zakonshëm të LDK-së – për mbrojtjen e themeleve të shtetit të Kosovë; që njëtrajtësisht e njëkohësisht janë themele të organizimit tonë politik. Para një obligimi të tillë s’mund të qëndroj indiferent. As unë, as ekipi që synoj të ndërtojë, as secili veprimtar i yni që me aktivitetine  tij e të saj vullnetar përcakton fatin tonë të përbashkët.

Rruga jonë përpara duhet të jetë rrugë e drejtë që mburret me të shkuarën por që njëkohësisht s’mbetet peng inertiv i saj. Rruga përpara kërkon mirëmbajtjen e shtyllave tradicionale të qendrës së djathtë, të filozofisë politike rugoviane, të integrimeve euro-atlantike e të kultivimit të vlerave shtetërore që promovojnë Republikën e Kosovës – si në organizimin e brendshëm politik, ashtu edhe në përfaqësimin jashtë; si projekt të përhershëm tonin. Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mria që kemi sot. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon afrimin e njerëzve tanë që për kohën nuk kanë gjetur vend tek ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje të tyre. Rruga përpara kërkon reformë dhe reformë do të kemi ne.

Jam tërësisht i bindur, se LDK do të rigjejë këtë rrugë. Jam tërësisht i bindur se dyshuesit e tanishëm, skeptikët e përhershëm, do t’i provojmë gabim. Se Lidhja jonë Demokratike do të mbetet edhe Lidhje, edhe Demokratike, edhe e Kosovës. Lidhje me njëri tjetrin e drejtpërdrejtë tek zëri i padëgjuar qytetar; Demokratike me procese të hapura zgjedhore e vendimmarrëse, dhe e Kosovës me kauzat e përhershme dhe të pashtershme për Republikën tonë.

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Prishtinë, 2021