Fjalimi i kryetarit, Lumir Abdixhiku, në konferencën e sotme të LDK-së

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Po bëhen një muaj e gjysmë nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit, e pak më shumë se dy javë nga procesi zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nga ku kam marrë detyrën e udhëheqjes së partisë më të vjetër në vend.

Gjatë këtij dyjavëshi të shkurtër por, të ngjeshur shumë, paralelisht me pjesën e formimit të organeve udhëheqëse të partisë – me vullnet e dije të plotë, me përgjegjësi dhe detyrim të qartë ndaj të gjithë atyre që na kanë zgjedhur – jam përfshirë në procesin diskutues rreth zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Në këtë proces jam përfshirë me vetëdije.

Në këtë proces jam përfshirë me qëllime të mira.

Në këtë proces kam dashur që LDK-ja të ketë zërin e vet.

Në gjithë këtë kohë, kam parë e dëgjuar edhe zëra anësorë që sugjeronin se kjo punë s’është e LDK-së. Se gjëja e fundit që LDK duhet të bëjë është të brengoset për zgjedhjen e Presidentit. Që LDK, sikurse partitë tjera opozitare, duhet të qëndroj anash e në indiferencë e përfundimisht të zgjedhin obstruksionin si mjet të vetin politik. Sepse indiferenca e obstruksioni, disi, na sjellin një pazar më të mirë.

Kam dëgjuar zëra që gjithë politikën e shohin si llogartije hesapesh; se kush dëmtohet më rëndë e kush më lehtë; se kush fajësohet më shumë e kush më pak; se kush tregton më mirë e kush nxjerr një copë pushteti më lartë.

Këtë frymë s’mund ta pranoj.

Ikja nga përgjegjësia, është zgjidhja më e lehtë për secilin politikan. Por në politikë, as unë e as LDK e as kolegët e mi, s’jemi për të marrë vendime të lehta. Në politikë jemi për të dhënë zgjidhje; edhe kur ato duken të vështira edhe kur ato duken të paarritshme. Këtë kulturë e këtë frymë e mbajmë si trashëgimi të aktivitetit tonë politik 31 vjeçar.

Me forcën politike që kam në dorë, me 12.6%, rezultat i zgjedhjeve të kaluara, kam pasur dy mundësi: ose të zgjedhë obstruksionin, pra, të mos marrim pjesë në seancë, dhe kështu të pengojmë shumicën të marrë vendim; ose të jemi pjesë e zhvillimeve duke respektuar nevojën e qytetarëve për stabilitet, e duke respektuar frymën kushtetuese. Kemi zgjedhur të dytën. Kemi bërë kështu sepse këtë rrugë, të konstruktivitetit mbi institucione, LDK e ka ndjekur përherë. Dhe këtë rrugë kam zgjedhur unë dhe kolegët e mi bashkarisht ta ndjekim.

Kam refuzuar kalkulimet kushtëzuese si mjet politik sepse të njëjtat forcojnë gjendjen e tanishme të krizës; dhe këtë qëllim, LDK, në kursin e ri nuk e ka. Kush se kupton këtë s’ka për të kuptuar as rrugën që po e ndjekim tani.

Dhe për të dhënë zgjidhje, mundësi e stabilitet, deri më tani kam mbajtur tri takime diskutuese. Në takimin e parë, sipas ftesës së tyre, kam diskutuar me znj. Osmani dhe z. Kurti. Në dy takimet vijuese, sipas kërkesës time, kam diskutuar vetëm me pretendenten për Presidente. S’kam negociuar me z. Kurti sepse në thelb s’kemi çfarë të tregtojmë në mes vete. Jemi në opozitë e ata në pozitë. Të tillë do ta mbajmë këtë relacion.

Në takimet me znj. Osmani, kemi diskutuar në detaje mbi çështjet që na preokupojnë të gjithëve njëtrajtësisht. Kemi diskutuar mbi dialogun, kemi diskutuar mbi shtetësinë e Kosovës, kemi diskutuar për rendin tonë kushtetues dhe garancitë që i njëjti të ruhet me fanatizëm pavarësisht forcave e numrave politik në vend. Kemi diskutuar për relacionet me miqtë tanë ndërkombëtarë, me aleatët ushtarak e me proceset integruese të vendit tonë. Kemi diskutuar për pavarësinë e gjyqësorit, për depolitizimin e sigurisë, për ruajtjen e shtyllave kryesore të shtetit tonë të ri.

Mbi të gjitha, kemi diskutuar për pozitën apolitike e apartiake të znj. Osmani si Presidente. Ndonëse të vetëdijshëm që Kushtetuta e Kosovës jep një kornizë të përgjegjësive e detyrimeve të Presidentit, detyra e tillë plotësohet, e merr kuptim nga ushtruesi i saj. Është njeriu që e bën Presidentin, jo letra; qoftë ajo një letër aq e vlefshme sa Kushtetuta e Kosovës. Sepse e shkuara na ka mësuar ndryshe.

Këto biseda ua kam prezantuar në vazhdimësi organeve të partisë. Dje, një të tillë ua kam prezantuar anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas një diskutimi të hapur, shterrës në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e  Presidentetit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtroj detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për Presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj.

Këtë vendim ua kam komunikuar sot, deputetëve të LDK-së. Pres që secili deputet të respektojë vullnetin kolektiv e të shumicës. Pres nga secili deputet të sillet si institucionalist; dhe nëse ka nevojë të kapërcejë edhe veten.

Vendimi i Kryesisë së LDK-së, dhe i imi si Kryetar i saj, synon që Kosovës fillimisht t’i japë një proces normal parlamentar, ku vetëm me votë dhe me asnjë mjet tjetër politik, merret secili vendim me interes nacional; përfshirë dhe këtë për President. Vota, përfaqëson vullnetin qytetarë. Çdo hap për të penguar këtë vullnet, është veçse kundërshti ndaj vet qytetarëve tanë.

Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon dhe fatin politik të vendit për një periudhë pesë vjeçare. Në këtë fat, rol të veçantë ka vetë Presidenti; si autoritet unifikues, si zë i pavarur, si figurë apartiake. Ne presim që Presidenti i ardhshëm i vendit, të ushtrojë këto detyrime me përgjegjësi të plotë. Që të jetë President i të gjithëve, që të jetë bashkues e jo ndarës, që të jetë garantues i Kushtetutës e jo keqpërdorës i saj. Që të jetë njëmend President, e jo një i nënshtruar i një pushteti.

Këtë gjë, do ta kujdestarojmë bashkërisht me të gjithë.

Në fund, u drejtohem edhe votuesve të LDK-së, të 110 mijë qytetarëve që kujdestaruan mbështetjen për ne në orën më të vështirë tonën dhe të tjerëve që kanë sytë nga ne. Rikthimi ynë është i pashmangshëm. Ky rikthim kërkon durim, kërkon vendime politike të guximshme e jo të inatit. Mbi të gjitha, rikthimi ynë kërkon unitet. Këtë unitet e kërkoj nga të gjithë mbështetësit tanë tani.

Gjendja e tanishme s’na mbanë të kënaqur asnjërin. Të humbësh është një gjë. Është pjesë e një cikli normal politik që secili e kalon. Por të insistosh në humbjen dhe mjetet që e sollën atë është e pafalshme. Ideja jonë politike jetësohet kur ne i shtojmë rradhët tona; kur ne afrojmë rreth vetës më shumë si ne. Mbyllja jonë në vetvete krijon stagnim. Kjo mbyllje, siç është dëshmuar deri më tani, ka qenë me pasoja të rënda politike. Si Kryetar i LDK-së nuk mund të lejoj një vazhdim të tillë.

Kam marrë detyrën për të ndërtuar një rrugëtim të ri, duke i bashkuar forcat tona e duke i shtuar rradhët tona me mbështetës e votues të vjetër e të rinj. Prandaj do të jem bartës i kësaj barre, dhe s’do të lejoj asgjë, për asgjë, të pengojë rikthimin tonë origjinal.

Lumir Abdixhiku

30 mars, 2021