Statuti

STATUTI I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Me këtë Statut, Lidhja Demokratike e Kosovës (në tekstin e mëtejmë LDK) përcakton dhe rregullon emrin, emblemën dhe selinë, përfaqësimin, anëtarësinë, të drejtat dhe përgjegjësitë, format e organizimit dhe të veprimit, procedurat për zgjedhje, forumet e saj, administratën, financimin, kushtet për ndërprerjen e veprimtarisë, si dhe çështjet e tjera me interes për anëtarët e saj.

Neni 2
LDK-ja është parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarëve të lirë dhe të përgjegjshëm, të cilët veprojnë mbi bazë të Statutit, për të arritur objektivat e përcaktuara në Programin e saj politik.

Neni 3
3.1 Për realizimin e synimeve themelore të saj, LDK-ja shfrytëzon të gjitha mjetet demokratike parlamentare dhe joparlamentare.
3.2 LDK-ja bashkëpunon me parti dhe organizime të tjera politike dhe jopolitike, si
në vend, ashtu edhe jashtë vendit.

Neni 4
4.1 LDK-ja vepron në mënyrë të pavarur dhe publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
4.2 LDK-ja organizohet dhe vepron edhe jashtë Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me ligjet e shteteve përkatëse.
4.3 Selia e LDK-së është në Prishtinë.

Neni 5
5.1 LDK-ja ka vulën, akronimin, logon, flamurin dhe Ditën e Lidhjes Demokratike
të Kosovës.
5.2 Formën dhe përmbajtjen e vulës, akronimit, logos dhe flamurit të LDK-së i përcakton Këshilli i Përgjithshëm, me propozim të Kryesisë, kurse mënyrën e përdorimit të tyre e përcakton Kryesia me vendim të veçantë.
5.3 Dita e Lidhjes Demokratike të Kosovës është 23 Dhjetori.

Shkarko .pdf format… Download PDF